KQZ për certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve njofton presidentin Thaçi

E publikuar: 29/11/2019 14:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) e ka njoftuar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, lidhur me certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat janë mbajtur më 6 tetor.

Këtë e ka bërë të ditur për Telegrafin, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili tha që së bashku me shkresën njoftuese, KQZ i ka bashkangjitur edhe një kopje të rezultateve të certifikuara për subjektet politike dhe kandidatët pjesëmarrës në këto zgjedhje.

Ndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar rezultatet e zgjedhjeve parlamentare para disa ditësh, ku ka shpallur Lëvizjen Vetëvendosje partinë fituese të zgjedhjeve.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 26.270% të votave, Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë 24.548% të votave, Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 21.234% të votave, koalicioni AAK-PSD ka marrë 11.515% të votave, Lista Serbe ka marrë 6.402% të votave, koalicioni NISMA-AKR-PD ka marrë 5.002% të votave.