Kozniku bën krahasimin e Kroacisë së tanishme dhe asaj që zuri vendin e tretë në ‘Franca 1998’

E publikuar: 02/07/2018 04:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-futbollisti shqiptar, Ardian Kozniku, ka qenë pjesë e gjeneratës së artë të Kroacisë, e cila e zuri vendin e tretë në Kampionatin Botëror, ‘Franca 1998’.

Ylli i dikurshëm i Prishtinë, Hajdukut të Splitit dhe Dinamos së Zagrebit, është lidhur me Skype në emisionin Dueli Botërorit që transmetohet në RTV Dukagjini.

Kozniku është lidhur me Skype në emisionin Dueli Botërorit (Foto: YouTube/Dukagjini)

Një nga pyetjet që iu drejtua nga trajneri dhe analisti, Ismet Munishi, ishte që të bënte një krahasim ndërmjet ekipit të Kroacisë në vitin 1998 dhe asaj aktuale, e cila u kualifikua në çerekfinale të Kampionatit Botëror, pas triumfit me penallti kundër Danimarkës.

Sipas Koznikut, ekziston një dallim i madh ndërmjet futbollit që është zhvilluar atëherë dhe lojës që po zhvillohet tani, kur kihet parasysh se janë dy dekada diferencë.

Ai i ka lëvduar të dyja gjeneratat duke thënë se edhe ekipi aktual është jashtëzakonisht i fuqishëm.

Ardian Kozniku ka qenë shqiptari i parë që ka marrë pjesë në një Kampionat Botëror dhe e ka fituar medaljen e bronztë, edhe pse nuk ka luajtur.

Në vitin 1998, Kroacia u eliminua në gjysmëfinale nga Franca (2-1), ndërsa në ndeshjen për vendin e tretë e mposhti Holandën (2-1). /Telegrafi/