Kosovës mund t’i shtohet edhe Gjykata Speciale Kundërkorrupsion

E publikuar: 29/04/2018 19:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sistemit të drejtësisë së Kosovës, në të ardhmen mund t’i shtohet një gjykatë speciale, e cila do të merret me luftimin e korrupsionit. Këtë e tha për Radio Kosovën, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, sipas të cilit Kosova ka nevojë për një gjykatë të tillë.

Shoqëria civile mirëpret krijimin e kësaj gjykate, por kërkon që rekrutimi i gjyqtarëve të bëhet nga ndërkombëtarët.

Me qëllim të luftimit të krimit të organizuar e korrupsionit, sistemit të drejtësisë në Kosovës, në të ardhmen mund t’i shtohet edhe një Gjykatë Speciale për Korrupsionin. Sipas ministrit të Drejtësisë Abelard Tahiri, Kosova ka nevojë për një gjykatë të tillë dhe krijimi i saj mund të ndodhë pas reformave që po bëhen në sistemin e drejtësisë.

“Konsideroj se është e nevojshme është e domosdoshme krijimi i një gjykate speciale që do të merrej ekskluzivisht me lëndë që kanë të bëjnë me krim të organizuar dhe korrupsion. Jemi duke bërë analiza të thella sa i përket kësaj çështje dhe do të shohim nëse do të vije rekomandimi për krijimin e një gjykate të tillë ose jo”, ka thënë ai.

Krijimi i një gjykate që do të merrej ekskluzivisht krimin e organizuar e korrupsionit, është i mirëpritur edhe nga shoqëria civile.

Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, organizatë kjo që vitin e kaluar rekomandoi krijimin e kësaj gjykate, tregon se pse patën rekomanduar themelimin e një gjykate të tillë.

“Duke parë kapjen e sistemit të drejtësisë nga politika, besojmë se kjo gjykate është një nevojë e domosdoshme dhe do të shërbente si institucion i cili në mënyrë të pavarur do të mund të luftonte dukurinë e korrupsionit dhe krimit të organizuar”, theksoi Musliu.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Betim Musliu, pohon se kurdo që të krijohet kjo gjykatë, përzgjedhjen e gjyqtarëve do të duhej bënin ndërkombëtarët, në të kundërtën edhe kjo gjykatë nuk do të ishte e pavarur nga politika. Por, që kjo të ndodhë, duhen ndryshime kushtetuese. Musliu, mendon se për një gjykatë e cila do të kishte gjyqtarë të pavarur ja vlejnë ndryshimet kushtetuese.

Ndryshe, Kosova që nga paslufta ka probleme me luftimin e korrupsionit e krimit të organizuar, e luftimi i tyre është kusht për liberalizimin e vizave dhe rrugëtimin e vendit drejt Bashkimit Evropian.