Kosovë: Parlamenti debaton për të ardhmen e bisedimeve me Serbinë

E publikuar: 30/07/2018 21:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Parlamenti i Kosovës u përfshi të hënën në debate për të ardhmen e bisedimeve me Serbinë dhe mundësinë e miratimit të një rezolute nëpërmjet së cilës kërkohet që këto bisedime të udhëhiqen nga parlamenti i vendit.

Seanca është thirrur nga Partia Social Demokrate në opozitë, e cila kërkon që nëpërmjet një rezolute t’i heqë presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi rolin si negociator i bisedimeve me Serbinë.

Dardan Molliqaj nga kjo parti tha se përgjegjësia e bisedimeve duhet të kalojë tek parlamenti i Kosovës.

“Tentimi ynë është që të kthehet situatë në gjendje normale, çfarë është kjo, të ulemi si parlament, si qeveri dhe të gjithë faktorët tjerë të cilët kanë interes për këtë punë dhe në radhë të parë të dijë Kosova se çfarë po kërkon në këto bisedime. Pa e vendos këtë dhe mënyrën e vendimmarrjes për këtë çështje, dikush mund të propozojë referendum, dikush nëpërmjet dy të tretave të parlamentit, kjo çështje që bashkë mund të merremi vesh, por duhet ta dijmë se çfarë po kërkojmë, si do të jetë vendimmarrja dhe në fund kush e përfaqëson më së miri këtë që merremi vesh”,tha zoti Molliqaj.

Por, partitë opozitare vazhdojnë të mbesin të ndara për mënyrën e qasjes ndaj bisedimeve me Serbinë, ndërsa pajtohen që të njëjtat të mos udhëhiqen nga presidenti i Kosovës.

Vjosa Osmani nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha se bisedimet me Serbinë po përfaqësohen siç tha dhunshëm nga presidenti Thaçi.

“Sot vërtetë Kosovës i duhet uniteti, por i duhet uniteti për të parandaluar kompromiset që tashmë kanë filluar, për Gazivodën, për territorin, Trepçën, për të dhënë falje pa kërkuar kërkim falje nga ana e Serbisë dhe për shumë çka tjetër. Prandaj si parlament na takon që t’u japim fund manovrave të presidentit Thaçi dhe është koha që për ato tema që njëanshmërisht i ka hapur në Bruksel të flasë populli”,tha zonja Osmani.

Ajo tha se nuk do të ketë politikan në Kosovë që do të mund të nënshkruajë marrëveshje e cila sipas saj rrezikon funksionimin e shtetit.

Ndërsa, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, paraqiti propozimet e partisë së tij se si duhet të zhvillohen bisedimet me Serbinë ndërsa bëri thirrje që të ndërpriten bisedimet aktuale.

“Përpara çfarëdo dialogu të ri me Serbinë, janë të domosdoshme katër etapa përgatitore: e para shqyrtim dhe vlerësim i dialogut 2011- 2017 dhe rezultateve të tij, e dyta synimet e Kosovës dhe kërkesat tona ndaj Serbisë, e treta parimet dhe kushtet e dialogut të ri dhe e katërta ekipi ynë negociator me strategji dhe udhëheqës”,tha zoti Kurti.

Por, partitë në pushtet bëjnë thirrje që të përfshihet edhe opozita në këto bisedime. Kryeministri Ramush Haradinaj tha se përfshirja e parlamentit në këto bisedime është e domosdoshme.

“Një temë e vendit të juaj mund të shtrohet në tavolinat e vendimmarrjeve edhe pa kontributin tonë, edhe pa rolin tonë dhe mund të ecin disa procese në mënyrën si kanë ecur në të kaluarën, e pastaj i kemi vajtuar qindra vjet ose kemi provuar t’i sanojmë, por ka qenë vështirë. Për këtë arsye, dua t’iu them që ajo që ka bërë parlmenti në të kaluarën nuk është për bisedimet që vijnë, merreni në dorë procesin e ardhshëm të dialogut si parlament”,tha Haradinaj.

Muaji shtator shihet si periudhë e takimeve të reja në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të asaj që është quajtur faza përfundimtare e bisedimeve. Beogradi tashmë e ka hedhur idenë e ndarjes së Kosovës si zgjidhje e cila edhe sot është hedhur poshtë nga partitë politike.

Një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është kusht për të dyja vendet për integrim në Bashkimin Evropian. Por, ende është e paqartë se çfarë mund të jetë ajo marrëveshje dhe çfarë janë mundësitë për arritjen e shpejtë të saj. Edhe në Beograd edhe në Prishtinë, bartësit e këtyre bisedimeve thonë se kanë pak shpresë për të.