Kosovarët pa sigurime shëndetësore as vitin tjetër, ministri Rrahmani vetdemantohet

E publikuar: 30/09/2015 19:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

I gjendur në një situatë të papërshtatshme, ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, zgjodhi ta demantojë veten.

Viti 2015 për dikasterin e tij ka qenë vit i fillimit të ligjit për sigurime shëndetësore, raporton KohaVision.

Madje, ai me të marrë postin, iu bashkua karvanit të deklaratave të dhëna edhe të paraardhësve të tij se ky ligj do të implementohet se s’bën. Gjysma e vitit shkoi, e tash ministri ka ndryshuar fjalët.

Kjo situatë ka qenë e pritshme për përfaqësues të komisionit për shëndetësi, pasi ata thonë se nuk u punua sa duhet. Ndërsa opozitarët thonë se kjo bëhet qëllimisht që të përfitojnë grupe të interesit.

Derisa tregoi se problem mbetet mungesa e fondit nga qeveria prej rreth 18 milionë euro, ministri Rrahmani tha se për qytetarët ky është obligim.

Por, kësaj here shprehu një siguri më të madhe kur u pyet nëse duhet t’i besohet për deklaratat e fundit rreth fillimit të implementimit të këtij ligji.

Ligji për sigurime shëndetësore është miratuar që në prill të vitit 2014, ndërsa deri tash është formuar vetëm këshilli përgatitor, i cili duhet të marrë vendim për themelimin e fondeve, që nënkupton plotësimin e të gjitha parakushteve për të funksionuar ai.

Ministria e Shëndetësisë duhet të nxjerrë edhe një udhëzim administrativ për mbledhjen e kontributeve, derisa për këtë Ministrisë i duhet përkrahje edhe nga Ministria e Administratës, Ministria e Punës dhe ATK-ja.