Kosovarët manipulojnë popullatën australiane përmes faqeve në Facebook

E publikuar: 16/03/2019 19:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Foto: ABC News

Një rrjet i faqeve të njohura në Facebook që kanë ndërtuar audiencë të gjerë për të ushqyer australianët e shqetësuar për çështje të nxehta si islami, refugjatët e korrektësinë politike, është nën kontroll të mashtruesve nga Ballkani që përfitojnë nga zemërimi që nxisin.

Një rrjet i faqeve të njohura në Facebook që kanë ndërtuar audiencë të gjerë për të ushqyer australianët e shqetësuar për çështje të nxehta si islami, refugjatët e korrektësinë politike, është nën kontroll të mashtruesve nga Ballkani që përfitojnë nga zemërimi që nxisin.

Një hetim i “ABC News” ka identifikuar së paku katër faqe të famshme me karakteristika të ndara që menaxhohen nga administratorë me qendër në Kosovë dhe në shtetet fqinje si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Informatat për lokacionin janë bërë të zbulueshme vetëm pak kohë më parë kur Facebooku ndryshoi politikat për ta sjellë Australinë në linjë me masat e transparencës në reklamim të cilat në SHBA kanë qenë të vendosura që nga mesi i vitit 2018.

Të katër faqet përmbajnë llojllojshmëri të ‘memeve’ patriotike dhe tronditëse dhe një potpuri lajmesh që për burim kanë një ueb-faqe të vetme e specializuar për ripaketim të përmbajtjeve të vjedhurave nga mediat e mëdha dhe nga organizatat e pavarura të lajmeve, përfshirë disa nga Australia.

Përmbajtja ksenofobe përqendrohet në tema si refugjatët, imigrimi, myslimanët dhe islami dhe liria e shprehjes. Faqet po ashtu japin lajme për politikanë nga ata Laburistë, të Gjelbrit dhe për disa Liberalë të moderuar.

Faqet e Facebookut kanë një numër të përbashkët të fansave prej më shumë se 130,000, që janë ndërtuar për disa vite me radhë. Faqja më e vjetër dhe më e famshme, “Australians against Sharia” (Australianët kundër sheriatit), është hapur qershorin e vitit 2013.

Edhe përkundër përmbajtjes së dyshimtë të këtyre faqeve, disa postime janë shpërndarë më shumë se 20 mijë herë, që tregon se kauzat e promovuara kanë rezonuar fuqishëm në mesin e australianëve të pakënaqur.

Për faqe të këtilla të popullarizuara, shpërndarja potenciale do të ishte së paku 10 herë më e madhe sesa numri i personave që e kanë pëlqyer atë, thotë Joe Youngblood, konsulent i marketingut digjital me bazë në Dallas, Teksas.

Tri faqet tjera quhen “Aussie infidels” (Australianët e pafe), “Stop the Mosque in Melbourne” (Stop ndërtimit të xhamisë në Melburn) dhe “Stop all Mosque in Narre Warren” (Stop të gjitha xhamive në Narre Warren). Narre Warren është një lagje në juglindje të Melburnit, transmeton Koha.net.

Një faqe në Facebook është profil publik për përdorim nga organizatat, bizneset, kauzat dhe të famshmit. Popullariteti matet përmes numërimit të “fansave”, me numrin e personave që “pëlqejnë” një faqe.

Faqja “Australianët kundër sheriatit”, që ka mbi 67 mijë fansa, ka shpërndarë edhe ‘meme’ që sulmojnë identitetet e Partisë Laburiste përfshirë Bill Shorten, Penny Wong dhe Julia Gillard, atë të të Gjelbërve Sarah Hanson-Young dhe të Partisë Liberale Julie Bishop.

Senatori konservator i Maverick Queensland, Fraser Anning, është i vetmi politikan që ka pranuar përkrahje të vazhdueshme nga kjo faqe. Nuk ka ndonjë shenjë se senatori është në ndonjë mënyrë i lidhur me faqen apo administratorët.

Facebooku tash i ka hequr këto faqe, duke pranuar se kanë shkelur politikat e tyre duke u përfshirë në “sjellje të koordinuar joautentike”.

“Kemi mbyllur këto faqe bazuar në sjelljen e tyre, jo në bazë të përmbajtjes që kanë postuar”, ka thënë Nathaniel Gleicher, shef i politikave të cyber-sigurisë në Facebook, përmes një deklarate për “ABC News”.

“Në këtë rast, personat prapa këtij aktiviteti janë koordinuar me njëri-tjetrin dhe kanë përdorur llogari false për të fshehur identitetet e tyre dhe kjo sjellje ka qenë bazë e veprimit tonë”.

Gleicher tha se Facebooku vazhdimisht vëzhgon aktivitetet në platformën e saj për shkelje potenciale të politikave të saja dhe tashmë janë duke u zhvilluar disa hetime.

Si funksionon mashtrimi (scam)

Faqet në Facebook janë rrota e rrjetit, dhe në qendër shtrihet një ueb-faqe e lajmeve që jeton në ueb adresën HealthyNewsFree.tech. Ajo quhet edhe si “Worldwide”, “Worldwide Press” dhe “Healthy Lifestyle”, transmeton Koha.net.

Detajet e pronësisë së ueb-faqes janë të fshehura për publikun. Por, meqë postimet e ueb-faqes janë të vetmet që promovohen nga faqet e Facebookut na bën të mendojmë se është një marrëdhënie intime mes dy entiteteve.

Po ashtu, disa prej artikujve në ueb-faqe janë të shkruara në gjuhën shqipe dhe kanë të bëjnë me Kosovën, ku 90 për qind e popullatës është shqiptare.

Nëse e hapni një artikull nga këto faqe përmes aplikacionit të Facebookut në telefon, ju hapet një storie në një format të njohur si “Instant Articles”, apo IA.

Image

Versioni IA i stories strehohet në serverët e Facebookut në vend të ueb-faqes së publikuesit, teorikisht lejon që storia të hapet më shpejt.

Por, ajo po ashtu i lejon Facebookut të zëvendësojë çdo reklamë që paraqitet në versionin e ueb-faqes dhe t’i fus reklamat e veta përmes shërbimit “Audience Network”. Për këtë, publikuesi merr një përqindje të të hyrave.

Për më tepër, të gjithë ata artikuj në gjuhën angleze janë vjedhur nga ueb-faqe tjera përfshirë ABC, “The Sydney Morning Herald”, “Mail Online”, “The West Australian”, “Reader’s Digest” dhe “The Daily Express”.

Publikuesit sikurse njerëzit prapa “HealthyNewsFree” duhet të aplikojnë për të përdorur formatin IA dhe t’i bashkohen shërbimit “Audience Network”. Publikuesi dhe përmbajtja e tij duhet të aprovohen nga Facebooku, transmeton Koha.net.

Reklamat dhe përmbajtja e sponsorizuar nga organizata si “Krispy Kreme Australia”, “TAFE NSW”, “Australian Reptile Park”, “Inglis”, “Foxtel”, “James Cook University”, “Australian Financial Review” dhe “Japan National Tourism Organisation” shfaqen në versionet IA të artikujve “HealthyNewsFree”.

“Reklamuesit ‘detyrohen’ të paguajnë për reklama për të cilat kanë shumë pak kontroll se ku shfaqen”, thotë David Glance, hulumtues i lartë në shkollën e fizikës, matematikës dhe kompjuterëve në Universitetin e Australisë Perëndimore.

“Por, përderisa Facebooku mund t’i raportojë shikimet dhe klikimet e rastësishme, ata ende do të fitojnë para”.

“Australian Reptile Park” e hoqi reklamën nga shpërndarja në “Instant Articles” pasi folën me “ABC News”.

“Ju lutemi të kuptoni se ‘Australian Reptile Park’ nuk kontrollon vendosjen e reklamave tona përbrenda ‘Instant Articles’ në platformën Facebook dhe shfaqja e tyre në asnjë mënyrë nuk e bën të vërtetë ndonjë artikull online”, ka thënë zëdhënësi, transmeton Koha.net.

Një zëdhënës i “TAFE NSW” tha se kanë “marrëdhënie të fuqishme punuese me Facebookun” dhe takohen rregullisht “për t’i optimizuar të dalat nga marketingu” dhe “të menaxhojmë ndonjë çështje potenciale teknike që mund të shfaqet”.

“Kirspy Kreme” tha se do të “punojmë me përfaqësuesit tanë në Facebook për të përcaktuar rrugën tonë më të mirë përpara”.

Youngblood ka pasur përvojë nga dora e parë me mashtrues nga Kosova që i drejtojnë këto lloj faqesh në Facebook.

Më 2017, ai kishte provuar të blinte brend-emrin “Texas Life”, që po përdorej nga një faqe në Facebook e operuar nga dy burra nga Prishtina.

Sikurse shembulli australian, faqja për kinse Teksasin në Facebook përmbante meme të vjedhura dhe artikuj të përpunuar për të përforcuar urrejtjen dhe për të nxitur ndasi sociale.

Ai ishte mashtruar për 550 dollarë amerikanë, por jo para se burrat me të cilët po merrej t’i tregonin atij se si funksionon operacioni i tyre dhe si përfitojnë shuma të majme parash nga projekti i tyre.

Dhe ai ishte tmerruar se si Facebooku nuk kishte ndërmarrë asgjë për të mbyllur këtë lloj aktiviteti.

“Kjo është 100 për qind për fajin e Facebookut. Ka zgjidhje, por ata thjesht i injorojnë ato. Thjesht, s’u intereson”, transmeton Koha.net.

Modeli i Velesit

Faqet e Kosovës shfrytëzojnë një model biznesi sikurse ai i zbuluar më 2016 kur qyteti i Velesit në Maqedoni u identifikua si epiqendra e “fabrikës së lajmeve të rreme” që kishte për cak amerikanët e radikalizuar gjatë fushatës politike të Donald Trumpit.

Velesi ishte shtëpia e një industrie të botuesve, shumë prej të cilëve adoleshentë, që fabrikonin lajme pro-Trumpit gjatë fushatës së tij presidenciale dhe përdornin postime ‘clickbait’ në Facebook për t’i shtyrë lexuesit të klikojnë ueb-faqet e tyre me reklama.

Shumë prej tyre pretendojnë të kenë fituar me mijëra dollarë në muaj duke prodhuar lajme të rreme, një ushtrim që disa thonë se ka ndihmuar Trumpin drejt Shtëpisë së Bardhë.

Rrjeti i zbuluar nga “ABC News” është i një shkalle të vogël në krahasim me atë të vitit 2016, dhe në vend se të krijojnë lajme të rreme, faqet në fjalë në Facebook thjeshtë shfrytëzojnë përmbajtjen e vjedhur.

Megjithatë, edhe përkundër tentimeve të Facebookut që të mbyll atë që e quan “sjellje joautentike”, ka ende të tillë që gjejnë mënyra për të përfituar nga manipulimi i ndjesisë publike.

Sarah Thompson është një artiste dhe kalëruese nga shteti Indiana e cila kishte zbuluar edhe një mashtrim maqedonas në Facebook më 2016 dhe që nga ajo kohë po e heton atë vrimë lepuri.

Ajo sheh vazhdimisht e më shumë aktivitet që vjen nga Ballkani dhe nga vende si India e Pakistani.

“Shoh sjellje jo-autentike kudo që shikoj tani”, thotë ajo e dëshpëruar. “Jemi në telash shumë të madh. Ndjej sikur kemi të bëjmë me një emergjencë kombëtare”.

Dhe, përderisa Facebooku ka konflikt interesi ndaj interesave të saja komerciale, ajo nuk sheh ndonjë mënyrë se si kompania mund të luaj rol të efektshëm si rregullator.

“Nuk kam shpresa të mëdha se do të luftohen djemtë e këtij”, tha ajo.

Zonja Thompson tani drejton një ueb-faqe dhe një faqe në Facebook të quajtur “Exploiting the Niche”, që ka për synim ekspozimin e mashtruesve, zbulimin e rrenave dhe edukimin e njerëzve për atë se si luhet me sistemin, transmeton Koha.net.

Pastrimi i platformës

Vitin e kaluar, ABC-ja zbuloi një mashtrim tjetër që përfshinte Facebookun dhe “Instant Articles” dhe shfrytëzimin e përmbajtjes nxitëse.

Reklama nga kompani si BMW, Woolworths, STA Travel dhe Visit Victoria po shfaqeshin nëpër artikuj, disa prej të cilëve kishin përmbajtje me tematikë ekstreme.

Facebooku, i cili viteve të fundit është përballur me shumë ankesa për privatësinë, për mbikëqyrje të dobët dhe për mos-besim, përjashtoi publikuesit nga shërbimi i “Instant Articles”.

Një vit më parë, “Media Matters for America”, një grup jo-fitimprurës në SHBA që monitoron keqinformimin konservativ, zbuloi një rrjet të ngjashëm që po operonte nga Kosova që po postonte lajme të rreme ndaj një audience të gjerë amerikane.

Njerëzit prapa këtij rrjeti u zbuluan se gjendeshin në qytetin e Podujevës, dy orë e gjysmë larg Velesit.

Dhe vetëm javën e kaluar, Facebooku njoftoi se ka mbyllur 168 llogari dhe profile në Facebook dhe Instagram të ndërlidhura me dy rrjete të ndara të menaxhuara nga njerëz nga Britania, Pakistani dhe Rumania, transmeton Koha.net.

Rrjetet, që shfrytëzonin disa prej teknikave të njëjta që po përdoren nga faqet australiane, u akuzuan për nxitje të urrejtjes dhe ndarje politike në Britani dhe Rumani.

Por, bastisje si kjo janë të rralla. Kritikët si Dr Galnce nga Universiteti i Australisë Perëndimore, thonë se Facebooku po prek vetëm sipërfaqen.

“Shumë nga ajo çka po bën Facebooku në hapësirën e pastrimit të platformës është vërtet sipërfaqësore dhe kanë për qëllim të bëjnë sa më pak që është e mundur për t’i parandaluar rregullatorët të ndërmarrin hapat e radhës për këputjen e krahëve”, ka thënë ai.