Kosova uron Gjermaninë në 25 vjetorin e ribashkimit

E publikuar: 03/10/2015 17:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në 25 vjetorin e bashkimit të Gjermanisë, i ka dërguar një telegram urimi Kancelares Federale të Gjermanisë, Angela Merkel.

Sipas njoftimit të kryeministrisë në telegram, kryeministri Isa Mustafa, në emër të Qeverisë dhe të qytetarëve të Republikës së Kosovës, ka shprehur urimet më të përzemërta në këtë ditë të shënuar historike për popullin gjerman, Evropën e bashkuar dhe mbarë botën demokratike.

“Duke vlerësuar rolin që pati rrëzimi i Murit të Berlinit dhe Dita e Bashkimit të Gjermanisë më 3 Tetor 1990, kryeministri Mustafa thekson se kjo është ditë e shpresës dhe e triumfit të vlerave demokratike perëndimore në mbarë Evropën dhe më gjerë”, thuhet në njoftim.

Kryeministri Isa Mustafa po ashtu theksoi rëndësinë që e patën për popullin e Kosovës ngjarjet që quan në bashkimin e Gjermanisë, të cilat frymëzuan qytetarët e Kosovës që me mjete demokratike të realizojnë aspiratat e tyre për Liri, Pavarësi dhe Demokraci, e që u kurorëzuan me çlirimin e Kosovës dhe shpalljen e shtetit të pavarur dhe sovran, më 17 Shkurt 2008.

Në këtë ditë historike, kryeministri Mustafa, shprehu mirënjohjen e përhershme të popullit të Kosovës për mbështetjen që Gjermania ka dhënë dhe po vazhdon të jap për Republikën e Kosovës, duke theksuar përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për fuqizimin e bashkëpunimit dhe partneritetit strategjik ndërmjet dy vendeve.

Për kreun e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, rënia e Murit të Berlinit dhe bashkimi i Gjermanisë, 25 vite më parë, shënuan në Evropë fitoren përfundimtare të lirisë mbi ideologjitë totalitare.
“Kjo mundësoi që projekti i Evropës së lirë e të bashkuar të bëhet projekt i të gjithë popujve evropian. Liria dhe pavarësia e Kosovës janë vlera të këtij projekti madhështor”, ka shkruar Veseli.

Zëvendësi i Mustafës në Qeveri, Hashim Thaçi, ka kujtuar se “sot, 25 vjet më parë, shembja e murit të Berlinit ishte shndërruar në gurthemel për demokracinë dhe lirinë në Evropë”.
“Largimi i perdes së hekurt u bë frymëzim edhe për popullin e Kosovës në lëvizjet e pareshtura për jetësimin e aspiratave për liri dhe shtet demokratik”, ka thënë Thaçi.