Kosova thërret Serbinë të mos u dalë krah të arrestuarve në veri, të përfshirë në krim e korrupsion

E publikuar: 28/05/2019 20:28
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Derisa në veri të vendit po zhvillohej aksioni kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës, për gjithë rrjedhën e tij, presidenti i vendit Hashim Thaçi, është mbajtur i informuar nga krerët e sigurisë në zyrën e tij në Prishtinë.

Thaçi, pas takimit që pati me Drejtorin e Agjencisë së Inteligjencës, Kryeprokurorin dhe Drejtorin e Policisë tha se në mesin e të arrestuarve, shtetasi rus ishte maskuar si diplomat i huaj, raporton KTV.

Thaçi ka komentuar edhe deklaratat e presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq, se janë të gatshëm të nisin ushtrinë për në Kosovë.

Kurse, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka siguruar të gjithë se aksioni ka qenë kundër krimit të organizuar e jo i drejtuar ndaj ndonjë etnie të caktuar.

Derisa, kryeparlamentari Kadri Veseli ka vizituar disa fshatra në veri të Kosovës gjatë ditës.

Ndërkaq, ministri i Jashtëm Behgjet Pacolli, i ka bërë thirrje Serbisë të mos abuzojë politikisht me një operacion të thjeshtë të policisë.

Ndërsa, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka dënuar dhunën e përdorur ndaj policisë së Kosovës në veri.

Kurse, kryetari i LDK-së tha se drejtësia nuk guxon të jetë selektive, si në rastin e fajdeve.

“Krimi i organizuar nuk njeh etni, ashtu siç nuk duhet të njohë as ligji”, deklaroi Isa Mustafa.

Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, Policia dëshmon se ka mundësi, aftësi dhe kapacitete për të luftuar krimin, por përgjithësisht, mungojnë urdhrat zyrtarë nga prokuroria dhe vullneti politik nga krerët institucionalë.