Kosova s’i jep leje Gjuriqit për të hyrë në veri

E publikuar: 18/05/2019 13:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Udhëheqësit të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën, Marko Gjuriq, i është refuzuar kërkesa për të vizituar Kosovën, më saktësisht komunat veriore të cilat nesër i mbajnë zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Lajmin e ka konfirmuar për Koha.net Jetlir Zyberaj, këshilltar i ministrit të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli.

“Nuk aprovohet kërkesa e tij për vizitë pasi nuk është në përputhje me kriteret e Marrëveshjes së Brukselit”, tha Zyberaj.

Sipas marrëveshjes së Brukselit, tha Zyberaj, për aranzhim të vizitave zyrtare kërkesat duhet të dërgohen gjatë ditëve të javës e Hënë – Premte në orar të punës deri në orën 17:00.

Gjuriqi, sot në televizionin publik serb (rts) është ankuar se gjatë vitit të kaluar është përpjekur 18 herë të hyjë në Kosovë, por nuk ia ka dalë.

“Organet e Prishtinës nuk më kanë lënë. Do të provoj përsëri të hyjë në Kosovë”, ishte shprehur ai.