Kosova së shpejti me ambasadë në Tajlandë, Bangladesh, Kolumbi dhe Ganë

E publikuar: 19/02/2019 17:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ani pse ka dështuar të marrë ulëse në INTERPOL e në UNESCO, për Ministrinë e Punëve të Jashtme “Kosova është shtet mirë integruar në komunitetin ndërkombëtarë të shteteve”

E kësisoj, sipas MPJ-së, në vitin e njëmbëdhjetë të ekzistencës së saj si shtet i pavarur e sovran, “Republika e Kosovës do të vazhdojë të shtrijë dhe përforcojë edhe më shumë rrjetin e saj diplomatik në disa kontinente”.

Kjo pasi Mbretëria e Tajlandës, Republika Popullore e Bangladeshit, Republika e Kolumbia-s dhe Republika e Ganës janë disa nga shtetet, ku pritet të hapen dhe funksionalizohen Ambasadat e reja të Republikës së Kosovës brenda këtij viti kalendarik.

“Nëpërmjet këtyre Misioneve të reja Diplomatike, Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës synon të mbulojë edhe disa shtete të tjera nëpërmjet akreditimeve jo-rezidente, me qëllimin e zgjerimit të bashkëpunimit dhe vendosjes së partneriteteve sipas interesave të përbashkëta”, thuhet në njoftimin për media të MPJ-së.

Ministria e Punëve të Jashtme thotë se tashmë ka ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet për procedurat respektive, që ndërlidhen me hapjen dhe funksionalizimin e plotë të këtyre Ambasadave.