Kosova radhitet lart në indeksin e Bankës Botërore për politikëbërje

E publikuar: 05/03/2019 16:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kosova është radhitur e para në mesin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në indeksin e Bankës Botërore për cilësinë e procesit të polikë bërjes në Qeveri.

Vlerësimi është bërë nga projekti “Global Indicators of Regulatory Governance” në të cilin janë përfshirë 187 vende të botës, ku Kosova është radhitur e 24-ta me 4.75 pikë nga maksimumi 5, njofton Qeveria e Kosovës, transmeton Klan Kosova.

“Krahasuar me vitin 2016 kur Kosova ishte vlerësuar me 4.60 pikë sipas të njëjtit indeks, Kosovës ka bërë përparime në procesin e politikëbërjes, duke ngritur shkallën e transparencës gjatë hartimit të politikave, përfshirjes më të madhe të palëve të interesit dhe publikut në këtë proces si dhe vlerësimit të ndikimit që kanë këto politika në jetën e qytetarëve”, thuhet në kumtesë.

“Indeksi i Bankës Botërore analizon se si politikëbërësit ndërveprojnë me palët e interesit gjatë procesit të hartimit të politikave dhe legjislacionit që ndikojnë në komunitetin e biznesit. Projekti “Global Indicators of Regulatory Governance” nuk ofron vetëm informata për bazën ligjore që u mundësojnë palëve të interesit të përfshihen në hartim të politikave dhe legjislacionit, por gjithashtu analizon praktikat që nuk kërkohen me ligj”.

Radhitja e shteteve është bërë bazuar në përgjigjet e bëra në pyetësorin që përfshin pesë fusha: publikimit paraprak të planeve rregullative, konsultimit të politikave të propozuara, komunikimit të rezultateve të konsultimeve, vlerësimit të ndikimit rregullativ dhe publikimit të ligjeve.

Për më shumë informata, ju lutem gjeni të bashkangjitur tabelën me radhitjen e shteteve në indeksin e Bankës Botërore, apo vizitoni faqen e internetit të projektit https://rulemaking.worldbank.org/