Kosova: Pronarët dhe “pronarët”

E publikuar: 28/12/2017 14:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gazeta serbe Ilustrovani list nr. 3, f. 2. (1922) në shkrimin me titull “Novosti iz nasih krajeva” (Lajme nga krahinat tona) publikon edhe dy fotografi, ku i bëhet jehonë fillimit të ndërtimit të vendbanimit ”malazez” në fshatin Polac të Drenicës. Në foto janë memorizuar 130 kolonistë.Në atë grup, imponohen në plan të parë dy xhanarë dhe një “poverenik”, ndërsa mbrapa tyre janë: burra, gra, fëmijë. Në foton e dytë, një tavolinë e shtruar me pije dhe ushqime, në atë tavolinë janë ulur edhe fshatarë të hutuar me plis të bardhë. Tetë vite pasi u publikuan këto foto, gazeta argjentinase “La Pressa”, e cila nxirrej në Buenos Aires, më 29.XI.1930 publikoi një shkrim me titull-përkthyer në shqip- “Projekti i kolonizimit në Jugosllavi”. Në këtë shkrim tregohej se qeveria jugosllave kishte “rezervuar 30 mijë hektarë tokë për kultivimin e kulturave në rajonin e Pejës dhe Gjakovës, të cilët janë dedikuar për familjet malazeze dhe hercegovase”.

Jehona e kolonizimit me plot dhunë e krime sado që arrinte në kontinentet më të largëta, atë nuk e frenonte aspak. Përkundrazi, vërshima e tij shkatërronte jetën e familjeve shqiptare në pronat e tyre. Kolonat e mërgimtarëve mësyenin Turqinë, një tokë e etshme për njerëz të fortë dhe punëtorë, më e mira, me shumë fëmijë, mbasi shumë nga hapësirat e saj ishin plotësisht të boshatisura.

Po sikur grabitjet e pronave në Dukagjin, edhe në Pasjan janë shënuar në dokumenta: i merren 12.47 hektarë Sylejman Spahiut nga Gjilani dhe ata hektarë u jipen familjeve koloniste Mlladenoviq dhe Stojanoviq. Ndërkohë, Zymer Abdurrahimi në Hallaq të Madh të Lipjanit mbetet pa 22.40 ha, pronar i ri të cilëve bëhen familjet koloniste Mirkoviq e Trajkoviq. Në Bresje të Fushë Kosovës pronarit Sylejman Aliu nga Prishtina i merren plot 71.72  hektarë dhe  ata u dhurohen familjeve Steviq, Jovanoviq e Marinkoviq… edhe kështu në gjithë Kosovën, shpronësime dhe shpronësime. Si edhe kjo: Ismail Ahmeti nga Prishtina mbetet pa 53.71 ha, sepse ata u jipen kolonistëve Nikoliq, Stojanoviq, Ristiq. Pjesë dërrmuese e këtyre pronave janë shitur e stërshitur nga atëherë. Por, këto janë vetëm disa nga ato prona që edhe tash qeveria e Serbisë thotë se janë të serbëve dhe të shtetit serb.

Statistikat zyrtare (jugosllave) tregojnë se përmes “reformave agrare” nga viti 1913 deri në vitin vitin 1939 në Kosovë janë marrë a sekuestruar 192.212,94 hektarë ara, livadhe, kullota dhe pyje. Shtrirja e kontrollit të plotë mbi territorin e Kosovës pas vitit 1912 nga ushtria dhe administrata serbe ishte e lidhur pikërisht me projektet e kahershme shtetërore për të ndryshuar strukturën e popullsisë, të largojë shqiptarët nga pronat e tyre dhe të sjellë kolonë serbë e malazezë nga të gjitha viset e Serbisë dhe Jugosllavisë. Projektet dhe praktikat e kolonizimit të Kosovës me serbë dhe etnitete sllave kanë ndryshuar edhe strukturën nacionale të popullsisë po edhe pothuajse tërësisht, strukturën tradicionale të pronarëve. Këto politika lanë jo vetëm Kosovën, por edhe pjesë të tëra të rajonit, në konflikte akute pronësore që bujisin edhe sot e kësaj dite. Një këso soj problemi mbetet në Vojvodinë, nga dhunshëm u detyruan të shpërngulen Volksdeutsche (gjermanët). Pikërisht ky ndryshim i strukturës pronësore nga qeveritë serbe dhe jugosllave u përdor edhe në Kroaci edhe në Bosnje për të aluduar shtrirjen e sovranitetit, sipas maksimës së mësuesit të Vuqiçit, radikalit Vojisllav Sheshel: “Serbi është kudo ku gjendet edhe një varr serb”. 

Ndërmjet dy luftërave  botërore u sollën  mbi 13.500 familje kolonizuese “pronare të ligjshme të tokave dhe të pasurive të Kosovës”, të cilat ndryshuan strukturën demografike dhe ekonomike, dhe ndikimi i këtij ndryshimi është i madh edhe sot e kësaj ditë. Koncepti i spastrimit etnik të Kosovës pas okupimit nga ushtria serbe u vazhdua përmes intensifikimit të marrjes së tokave, përkatësisht të shtëpive, arave, kullotave dhe pyjeve, që ishin pronë e patundshme e shqiptarëve dhe për të cilat, ata dispononin tapi të ligjshme. Në Kosovën e shpronësuar brutalisht, serbët instaluan kolonializmin tipik duke mësuar nga përvoja e disa shteteve evropiane që kishin spastruar banorët autoktonë nga pasuritë e tyre të patundshme.

Qeveritë serbe, dhe më vonë ajo jugosllave (është fjala pas vitit 1918), nxorën një varg dekretesh ndëmjet dy luftrave, të cilat, goditën pronarin shqiptar, duke ia shkaktuar dhimbjen e papërballueshme, varfërimin dhe mosmëkëmbjen, duke e shpronësuar plotësisht apo duke ia bërë bashkëpronarë kolonistët e sjellur nga rajone të ndryshme të Serbisë, Malit të Zi, Hercegovinës, madje edhe nga Bullgaria.

Ligji i parë u dekretua më 20 shkurt të vitit 1914 dhe u quajt “Dekretligj mbi Kolonizimin e Viseve të Posaçliruara dhe të Bashkuara në Mbretërinë e Serbisë”. Po kështu, duke bashkëkoordinuar, Mali Zi pasoi Serbinë dhe, edhe shteti malazez që kishte okupuar pjesë të Dukagjinit, nxori një ligj të ngjashëm vetëm një javë më vonë. Përmes këtyre ligjeve kolonizuese u sakatosën veçmas fshatarët. Por, një ligj i tillë nuk ishte i mjaftueshëm për t’i shpronësuar plotësisht ata që kishin tërë tokën e Kosovës të disponuar me tapi të ligjshme. Pasuan dekretligjet tjera, ato të viteve 1920, 1922, 1931 etj, të cilat ndikuan që  shqiptarët të humbin pjesën dërrmuese të tokave të tyre dhe ato t’i marrin kolonistët, që përbënin edhe eskadronet qeveritare të dhunës shtetërore: gjykatës, xhandarë, administratorë, çetnikë, otantë, vullnetarë, komitë,  vrangelistë rusë  etj.

Sistemi ushtarak-adiminstrativ i vendosur në Kosovë gjatë gjithë periudhës ndërmjet dy luftërave, ishte tipik kolonial dhe shqiptarët i vuri në radhën e qytetarëve pa një të drejtë të vetme, d.m.th. edhe pa të drejtën themelore, për të disponuar dhe qeverisur me pronën e tyre.

Në Kosovë ndërmjet dy luftërave janë vendosur rreth 13.500 familje koloniste serbe e malazeze, duke disponuar secila prej tyre një mesatare toke deri në 8,45 hektarë. Përmes instalimit të kolonistëve, Kosova u “shtetëzua me serbë”. Rreth 600 fshatra u ndikuan në ndryshimin e qenësishëm demografik, përkatësisht të strukturës së popullsisë në favor të elementit serb, përkatësisht sllav. U krijuan qyteza e fshatra të reja. Qytetet u mbushën me zyrtarë qeveritarë. Ky ndryshim i dhunshëm refleketohet edhe sot në strukturën pronësore po edhe etnike të popullsisë në Kosovë. Format brutale të marrjes së pasurive të familjeve dhe të fshatrave kanë ndikuar në instalimin e një mekanizmi brutal të dhunës të pasuar me shpërngulje të detyrueshme të shqiptarëve në Turqi apo Shqipëri.

Kolonistët, ishin vendosur përgjatë luginave me ujë dhe toka të begatshme, përgjatë hekurudhave dhe rrugëve të mira, duke u shërbyer me një jetë më urbane dhe më dinamike njëkohësisht. Pjesa dërrmuese e tyre gëzonin benificione të ndryshme të shtetit: pensione, kredi, hua, punësime, lirime nga dogana, dhurata dhe ndihma sociale. Ata, duke qenë pjesë e mekanizmit, përkatësisht mjet shtetëror, përmes instalimit të punkteve xhandarmerike, kontrollonin dhe kërcënonin secilën lëvizje të lirë të shqiptarëve të shpronësuar.

Notë shtesë: Një nga punktet më famëkeqe xhandarmerike ishte ai i Krivovës. Krivova, fshat i krijuar me kolonistë hercegovas dhe likas në vite 1920, binte në pjesën veriore të rrëxës së Goleshit, në kilomterin e 18 (Prishtinë-Pejë), përgjatë dy anëve të autostradës, aty ku sot gjendet Parku Industrial i Korroticës. Aty ishte “Ura e Xhehnemit” për shqiptarët që shkonin apo vinin nga Prishtina, nisur nga Dukagjini, Llapusha, Drenica, Rrafshi i Kosovës etj.  Kjo “Stanicë” u dogj në prill të vitit 1941, kur edhe ikën kolonistët bashkë me xhandarmërinë dhe administratën kolonizuese.

Në vend të “Oborrit të Stanicës së Xhandarmërisë” (kështu quhet edhe sot e kësaj dite nga banorë e këtij rajoni) do të ndërtohet Stadiumi Nacional i Kosovës.

…            

Edhe regjimi komunist jugosllav për 40 vjet ishte i pamëshirshëm në procesin e shpronësimit në Kosovë duke i lënë shqiptarët pothuajse duarthatë. Shpronsimet dhe sjellja e kolonistëve nga viti 1945 deri më 1965 ishte të ngjashme me ato të para LDB.

Realiteti i krijuar dhunshëm për pronat nga regjimi autoritar monarkik dhe komunist fatkeqësisht, u legjitimua edhe nga politikat e sovranitetit të cunguar në Kosovë mbas vitit 1999. Ky realitet tashti synohet të bëhet argument i plotfuqishëm i Kryeminsitrit serb Vuçiq në bisedimet e ardhshme ndërmjet përfaqësuesve të Kosovës dhe atyre të Serbisë. Ai do që këtë argument t’a përdorë më 2018 për të realizuar shtrirjen e pushtetit ende më të madh të Serbisë në Kosovë. Qëndrimi më i ri i Qeverisë së Serbisë përmes Marko Gjuriqit, shef i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, është po ai i kahershmi. Ai thotë: “Për kërkesat e veta për Beogradi ka mbulesë me letra, sepse evidenca kadastrale thotë se 58 për qind e tokës në Kosovë është pronë serbe. Në pronën shtetërore e shoqërore është 29 për qind e saj, 14 për qind gjendet te subjektet ekonomike, ndërsa në pronën private e kishtare është 15 për qind e territorit të Kosovës”.

Kjo fletë e vjetër po hapet rishtas nga qeveria serbe, por fleta e natyrshme për pronat, është dashur të hapet shumë më herët nga vetë shqiptarët. Sepse viktimë reale ishin vetëm shqiptarët dhe kjo duhej korrigjuar me ndryshimet e sistemit dhe të satusit politik të Kosovës.

Notë shtesë: Në Sheshin e Prishtinës, përballë Përmendores së Gjergj Kastriotit dhe Teatrit Kombëtar, sa edhe Parlamentit të Republikës së Kosovës, është një objekt që dikur quhej Union. Ishte një ndërtesë e bukur, dikur objekt hoteliere pronë e familjes (Malush) Kosova, që kishte emrin “Skenderbeg”. Agjensioni Kosovar i Privatizimit, një pronë me pronarë të ligjshëm, e shndërroi nga publike të privatizuar! Të tilla prona në shtetet ish-komuniste u janë kthyer pronarëve që iu morën pas vitit 1945. Për këtë objekt u protestua  për të mos u rrënuar,  por nuk u tha asnjë fjalë se ai duhej të kishte sërish pranarin e ligjshëm.

Do kujtuar se në fillim viteve 2000, Qeveria e Serbisë nxori një vendim që kishte të bënte me pasuritë e patundshme në Kosovë. Nuk do të zgjonte interesin e opinionit zhurma që u lansua atëherë, sikur ai njoftim i dhënë nga zyrtarët serbë, konkretisht nga Ministria e Drejtësisë dhe e Financave të Serbisë,  të mos bënte fjalë për kontratat, përkatësisht pronat e shqiptarëve që kishin blerë dhe vazhdonin t’i blenin nga serbët, por procedurat e transferit të këtyre pronave nuk qenë kryer ploësisht. Shtypi atëherë informonte se numri i këtyre shitblerjeve që nuk do të njiheshin nga Qeveria e Serbisë, kishte kaluar 12.000.  Por, nuk dukej problem vetëm ky vendim i ri për të shitur pronën e falur nga shteti për serbët dhe për të kërkuar sërish të vënin dorë me sovranitet mbi te.

Praktikat e qeveritarëve serbë me pronat nuk përfundojnë kaq lehtë: Një sulm për ndalimin e qarkullimit të lirë, edhe i ndërrimit të pronarit në mënyrë të padhunshme, ishte instaluar edhe gjatë dhjetëvjeçarit (1990), periudhë kjo e segregacionit dhe e aparteidit në Kosovë. Regjimi i Beogradit kishte sanksionuar mundësinë që një shqiptar të blente pronën e një serbi. Megjithëse, dihet edhe në këtë kohë, serbët kanë shitur pronat e tyre, dhe shqiptarët i blenë, por shihet se edhe sot, kryeministri dhe as qeveria e Beogradit, nuk i njeh ato kontrata të kenë qenë të ligjshme. Sa ishte drastik ky ligj do referuar vetëm një paragrafi të tij: “Të gjitha kontratat juridikisht shpallen të pavlefshme karshi qarkullimit të pasurisë së patundshme të lidhura ndërmjet serbëve, malazezve dhe popullatës tjetër joshqiptare të shpërngulur me pjesëtarët e nacionalitetit shqiptar që nga ardhja e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë”.  Me frymën e fundit, ende provohej mbrojtja e legalitetit të kolonizimit dhe kolonializmit në Kosovë.

Post scriptum I: Kur thonë qeveritarët e Serbisë se 58 për qind e pronave në Kosovë janë të tyre ata sa mendojnë të mbrojnë procesin e kolonizimit po kaq, në rastin më të mirë, përcaktojnë agjenden e grabitjes së sërishme të rreth 30 për qind të territorit të shtetit tonë. Kjo politikë e grabitjes ishte njohur që në shekullin XIX, por qe e sukseshme edhe në fillim të shekullit XX, e njohur si politikë-diplomacia e kryeministrit radikal serb Nikolla Pashiq: Kërko dyfish më shumë territor dhe merr gjysmën e tij.

Post scriptum II: Ka mënyra të ndryshme se si përcaktohet kujtesa kolektive e një grupi. Grupe të caktuara krijojnë një memorie shoqërore, përmes akteve të kujtimit, qofshin ato memoriale-monumentale, rituale performuese, shkrime apo rrëfime. Meqë pak dihet si dhe kujtohet për përvojat koloniale ndaj shqiptarëve, do të ishte mirë të mblidheshin dokumenta, rrëfime dhe histori personale të individëve të dorës së parë, të cilat kanë përjetuar përvoja të hidhura, gjithë kjo  përpara se Qeveria e Serbisë të dalë me projektin e vet “të viktimës historike”.