Kosova po rrezikohet prej ideologjive të rrezikshme për shkak të vonesave të BE’së dhe Nato’s

E publikuar: 23/10/2016 13:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti Hashim Thaçi, gjatë fjalimit në seminarin e 93-të Rose Roth të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, ka theksuar se për shkak të vonesave të BE’së dhe Nato’s, Kosova po rrezikohet prej ideologjive të rrezikshme.

“E kuptojmë që sot BE nuk e ka mendjen tek zgjerimi. Kriza financiare, vala e refugjatëve, BREXIT janë tema që kanë tërhequr vëmendjen e Brukselit nga Ballkani Perëndimor. Por, vonesa e BE-së dhe e NATO-s që të afrojë afër vetes rajonin e Ballkanit Perëndimor nuk do të lë thjeshtë një vakum. Ideologji tjera, nga kontinente tjera, me agjenda tjera për botën, po përpiqen të depërtojnë në rajonin tonë. Këto mezi presin të mbushin vakumin që do të lë vonesa e BE-së dhe NATO-s”, ka thënë presidenti Thaçi.

Thaçi ka thënë se është qenësore për rajonin, por edhe për vetë BE-në, për NATO-n, për kontinentin, që mos të vonohemi në proceset integruese të rajonit në NATO dhe në BE.

Më poshtë mund të lexoni edhe pjesë tjera nga fjalimi i Thaçit.

Para 17 viteve Kosova ishte një vend i sapo dalur nga lufta, nga përpjekja për gjenocid, nga një dekadë e represionit dhe aparteidit shtetëror serb dhe nga dekada të tëra të diskriminimit.

“Por, në ato ditë të rënda ishte bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht NATO, që u vunë në krye të rivendosjes së paqes dhe qetësisë në Kosovë. Qytetarët e Kosovës e pritën krahëhapur forcën paqeruajtëse KFOR, të kryesuar nga NATO dhe misionin e Kombeve të Bashkuara”, ka thënë Thaçi.

Një mësim tjetër i atyre ditëve të menjëhershme të pas luftës, sipas presidentit Thaçi, që është i vlefshëm edhe për një prej sfidave të mëdha me të cilat po përballet sot Evropa dhe Aleanca Veri-Atlantike është edhe çështja e refugjatëve.

“Me përfundimin e luftës dhe vendosjen e paqes, rreth një milion njerëz nuk pritën as UNHCR-në, as ndonjë agjenci tjetër, por u kthyen vetë në shtëpitë e tyre. Nuk u pengonte që i kishin shtëpitë e shkatërruara, që ekonomia ishte rrënuar, që institucionet e shtetit duhej ndërtuar prej zeros. Me rëndësi kishin paqe, ndonëse ende e rëndë, si dhe garanci për siguri dhe stabilitetit, që ishte NATO. Edhe sot kur shohim valët e refugjatëve, duhet të angazhohemi që të krijojmë paqe dhe stabilitet për ta”, ka deklaruar Thaçi, përcjell “Zeri.info”.

Sipas tij, ata nuk dëshirojnë asgjë më shumë se sa të kthehen në shtëpitë e tyre, të kenë paqe, të kenë stabilitet, sepse shtëpitë e shkatërruara, shtetin e shkatërruar, do ta ndërtojnë përsëri, siç kemi bërë ne në Kosovë.

Presidenti Thaçi ka thënë se para një viti kemi arritur të nënshkruajmë edhe Marrëveshjen për Stabilizim-Asociim me BE-në.

“Kjo erdhi si rezultat i reformave të shpejta dhe të suksesshme në instalimin e rendit dhe ligjit, në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe në shtrimin e bazave të një ekonomie të lirë”, ka thënë ai.

Duke folur për procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, presidenti Thaçi ka thënë se Kosova është e gatshme dhe në fakt kërkon që dialogu të ngritët në një nivel tjetër, të marrë një kualitet tjetër.

“Jemi të gatshëm për një proces të mirëfilltë të bashkëpunimit, të marrëdhënieve miqësore dhe të pajtimit. Nuk kemi pasur asnjëherë rast më të mirë, si Kosovë, si Serbi dhe si rajon, se sa muajt në vijim, që të vëmë në binarë të sigurt bashkëpunimin tonë”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai ka thënë se falë përkushtimit për dialog dhe bashkëpunim, sot marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë më nuk janë kërcënim për stabilitetin në rajon, por janë shembull i fuqisë që nëpërmjet dialogut të kthehemi nga e ardhmja më e mirë për të gjithë.

Presidenti Thaçi ka thënë se jemi krenarë edhe për sukseset në konsolidimin e brendshëm të Kosovës.

“Kemi ndërtuar institucione shumetnike në të cilat janë të përfaqësuar të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, ka thënë presidenti Thaçi.

Madje, sipas tij, edhe ata që dikur qëndronin në barrikada në pjesën veriore të Kosovës e madje sulmonin edhe trupat paqeruajtëse të KFOR-it dhe NATO-s, sot janë pjesë e institucioneve shtetërore të Kosovës, në Parlament, në Qeveri, në qeverisje lokale ku angazhohen për të drejtat e komunitetit të tyre.

“Me këtë frymë të bashkëpunimit për të ardhme më të mirë për Kosovën, po punojmë edhe për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Dëshirojmë që vendimi për themelimin e Armatës së Kosovës të ketë miratimin e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Përvoja që kemi me Forcën e Sigurisë së Kosovës, që e kemi tani, na bën të jemi optimistë për këtë ambicie”, ka thënë presidenti Thaçi.

Forca e Armatosur e Kosovës, sipas presidentit Thaçi, do të jetë një hap tjetër i madh në rrugën tonë në aspiratën për t’u bërë anëtarë të NATO-s dhe të BE-së.