Kosova po i tejkalon afatet ligjore dhe kushtetuese për dalje nga kriza 2 orë më parë

E publikuar: 04/08/2019 23:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Politologët vlerësojnë se Kosova po i tejkalon afatet sa i përket daljes nga kriza politike pas dorëheqjes së kryeministrit, Ramush Haradinaj, derisa njohësit e Kushtetutës, thonë se ajo është e mangët në disa aspekte.

Në rastin tonë ajo nuk përcakton afate strikte për presidentin se sa kohë mund të marr i njëjti për konsultat me partitë politike.Presidenti Hashim Thaçi ka paralajmëruar se konsultimet me partitë politike, do të vazhdojnë gjatë ditëve të ardhshme.

Megjithatë, ai deri më tani ka konsultuar vetëm përfaqësuesit e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian. Si garantues i funksionimit të institucioneve shtetërore, Thaçi, tashmë është kritikuar nga njohësit e çështjeve politike, se zvarritjen po e bën qëllimshëm.Politologu Ramush Tahiri thotë se presidenti nuk po i thërret konsultat sipas ligjit.“Presidenti nuk është duke i thirrur partitë politike në konsultim sipas radhës dhe sipas ligjit, sepse, ka për obligim me i thirr partitë fituese të parat, në këtë rast të gjitha bashkë PAN-in dhe me e konsumua të drejtën kushtetuese për kandidatin tjetër. Nëse partitë nuk kanë kandidatë, presidenti është i obliguar me i thirr të gjitha partitë bashkë dhe jo veç e veç si po bënë”, ka thënë Ramush Tahiri për RTK Radio.

Kosova ka hyrë në krizë dhe po i tejkalon afatet ligjore dhe kushtetuese të daljes nga kriza, thotë më tej Tahiri.Kurse njohësi i rrethanave kushtetuese Mazllum Baraliu thotë se Kushtetuta e Kosovës është e mangët.

“Kjo Kushtetutë është e mangët. Nuk është Kushtetuta më demokratike siç pretendonin disa. Tani po e shohim, por edhe në situata të tjera kemi parë kur ka ndërhy Gjykata Kushtetuese me vendime të caktuara. Dhe në këtë aspekt ka një vakum, presidenti nuk është i detyruar me afate strikte ‘Prekulozive’ quhen në drejtësi dhe prandaj ai po paralajmëron por nuk po vepron”, tha ai.Baraliu thotë se në këtë situatë do të duhej të vihej në skenë alternativa tjetër. E ajo është që Kuvendi me iniciativë të deputetëve të thërret një seancë të jashtëzakonshme për vet-shpërbërje.Më shpërbërjen e Kuvendit edhe afatet janë të qarta, presidenti në pajtim me subjektet politike duhet të caktojë datën e zgjedhjeve të parakohshme, e cila nuk guxon të jetë më e largët se 45 ditë nga shpërbërja e Kuvendit.