Kosova përshëndet marrëveshjen Maqedoni- Greqi

E publikuar: 17/06/2018 15:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Autoritetet e Kosovës e kanë përshëndetur nënshkrimin e marrëveshjes për emrin e Maqedonisë ndërmjet kryeministrit maqedonas dhe atij grek.

Marrëveshja e arritur të martën është nënshkruar sot buzë liqenit të Prespës.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në llogarinë e tij në “Twitter”, ka shkruar se marrëveshja e nënshkruar sot mes kryeministrave Zoran Zaev dhe Alexis Tsipras përbën një kontribut të madh në përmbylljen e paqes në rajonin tonë.

“Integrimi euroatlantik i Maqedonisë është mirë edhe për Kosovën”, ka shkruar Thaçi.

Ndërsa, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli e ka cilësuar “historike” marrëveshjen mes Greqisë dhe Maqedonisë.

“Një akt ky i guximshëm dhe i drejtë, që kontribuon jo vetëm në përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve nënshkruese, por në paqen dhe stabilitetin e mbarë rajonit”, ka shkruar Veseli në profilin e tij në “Facebook”.

“Jam veçanërisht i lumtur për bashkëkombasit tanë që jetojnë në shtetin fqinj për faktin që rruga drejt integrimit Euro-Atlantik tashmë është zhbllokuar”, ka shtuar ai.

Marrëveshja që i jep fund kontestit mes dy vendeve për emrin e Maqedonisë është nënshkruar sot nga dy ministrat e Jashtëm të dy vendeve.

Në ceremoninë e nënshkrimit, që është mbajtur buzë liqenit të Prespës, kanë marrë pjesë zyrtarë të lartë të Bashkimit Europian, përfshirë shefen për Politikë të Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, komisioneri për Zgjerim, Johannes Hahn, i dërguari i posaçëm i OKB-së për emrin e Maqedonisë, Matthew Nimitz, e zyrtarë të tjerë nga vendet perëndimore.

Marrëveshja që zgjidh kontestin mbi 25 vjeçar, zhbllokon procesin e integrimit të Maqedonisë në NATO dhe BE, por edhe normalizon raportet mes dy vendeve, që shpesh herë janë përcjell edhe me tensione dhe bllokada ekonomike.

Emri, Maqedonia e Veriut, në bazë të marrëveshjes do të përdoret si brenda ashtu edhe jashtë vendit.