Kosova përgatitet për Rio

E publikuar: 26/07/2016 18:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Për herë të parë, Kosova do të marrë pjesë në Lojërat Olimpike, që këtë vit do të mbahen në Rio de Janeiro të Brazilit.

Tetë sportistë nga Kosova, të disiplinave të ndryshme të sportit, do ta përfaqësojnë vendin e tyre, dhe po bëjnë përgatitjet e fundit për sfidën e radhës.

Kosova u bë anëtarja më e re e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, në vitin 2014, 6 vjet pas shpalljes së pavarësisë së saj. Vitin e kaluar sportistët nga Kosova morën pjesë në Lojërat Olimpike Evropiane, të zhvilluara në Baku të Azerbajxhanit, si një lloj përgatitje për Lojërat e Rios.

Në mesin e sportistëve që do të marrin pjesë në Rio është edhe kampionia kosovare në disiplinën e notit, Rita Zeqiri, e cila po përgatitet për pjesëmarrje në këtë debutim historik.

Ajo për Radion Evropa e Lirë tregoi për emocionet dhe sfidën para garës që po e pret.

“Tash e 11 vjet merrem me not dhe kam marrë pjesë në gara të ndryshme sportive, prej atyre më të mëdha, por RIO 2016 është një nivel tjetër i garave që mbahet vetëm një herë në katër vjet, dhe aty marrin pjesë garuesit e nivelit të lartë. Prandaj, është një ndjenjë e veçantë, e sidomos kur për herë të parë Kosova po paraqitet në Lojëra Olimpike, nuk do të ketë më herë të parë”, tha Zeqiri për Radion Evropa e Lirë.

E pritjet, si për çdo sportist tjetër, edhe për Ritën është përfaqësimi dinjitoz.

“Kam shënuar shumë fitore gjatë karrierës sime, besoj se në Rio do ta shijojë në maksimum garën, dhe normalisht në kushtet ekzistuese në të cilat jam zhvillu e kam dhënë maksimumin, por edhe në garë do ta dhë maksimumin”.

Me të njejtin emocion po përballet edhe Urata Rama, fituese e shumë garave në sportin e shenjtarisë.

Në këtë sport “mashkullor”, ajo ka arritur që të korrë shumë suksese, fal disiplinës dhe përkushtimit.

“Unë si person e kam parë vetën që ja arrijë të jem një person me qetësi shpirtërore për të pasur një rezultat të mirë tek ky lloj sporti…fillimisht kur kam filluar nuk e kam menduar suksesin që do ta arrijë deri tash, sepse sporti ose sportistët gradualisht kërkojnë sukses, jo sukses kaq madhështor”, thotë Urata Rama.

Kushtet për përgatitje adekuate në këtë sport e kanë bërë shumë të vështirë arritjen e suksesit të saj.

Trajneri i Uratës, Ali Rama, tha për Radion Evropa e Lirë se kushtet ekzistuese janë shumë larg nga ajo me çfarë përballen sportistët në gara ndërkombëtare.

“Nuk mund të presim diçka që nuk i kemi ofruar sportistit për përgatitje, është fjala për infrasturë, apo për poligon. Ne kemi kushte shumë më të pavolitshme se sa ato në të cilat zhvillohen garat”, tha Rama.

Shpresa më e madhe e Kosovës në përfaqësimin e Kosovës në Rio është kampionja e shumfishtë e xhudos, Majlinda Kelmendi, e cila së fundmi ka fituar medaljen e artë në kampionatin evropian.

Në Lojërat Olimpike do të përfaqësohen 115 kombësi, në disiplina të ndryshme. (REL)