Kosova nikoqire e mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës për Cilësi në Evropë

E publikuar: 08/06/2019 16:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Asambleja e Përgjithshme e Organizatës për Cilësi në Evropë do të organizojë takimin e saj, në Prishtinë, këtë muaj.

Kjo ngjarje zhvillohet për herë të parë në Kosovë, nikoqir i saj do të jetë organizata “Quality Kosova”, nën udhëheqjen e rektorit të UBT, Edmond Hajrizi.

Hajrizi tha se është hera e parë që mbahet një takim i tillë në regjionin e Ballkanit Perëndimor.

“Është hera e parë që Asambleja e Përgjithshme e Organizatës Evropiane mban një takim kaq të lartë në regjionin e Ballkanit Perëndimor. Për Kosovën kjo ngjarje ka rëndësi të veçantë, sepse me këtë rast edhe ne tregojmë se përkrahim dhe implementojmë pjesë të vlerave evropiane në Kosovë”, tha Hajrizi.

Takimi i Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës për Cilësi në Evropë do të mbledhë në Prishtinë përfaqësues nga të gjitha vendet e Evropës, që përfaqësojnë organizatat e tyre nacionale për menaxhimin e cilësisë, standardeve dhe certifikimeve, profesionistë dhe ekspertë të dalluar nga industri të ndryshme dhe me renome botërore.

Sipas komunikatës të dërguar nga UBT, “Quality Kosova”, u themelua në vitin 2006, me iniciativë të rektorit të UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi. Ajo merret me çështjen e promovimit të cilësisë, standardeve, certifikimeve dhe konfirmimit të bazuar në standardet evropiane dhe ndërkombëtare në Kosovë, por njëkohësisht promovon edhe vlerat e Kosovës jashtë vendit, përmes pjesëmarrjes në konferenca profesionale dhe shkencore në mbarë botën.

Asociacioni kosovar, “Quality Kosova”, që nga viti 2013, është anëtar i rregullt dhe me të drejta të plota në Organizatën Evropiane për Cilësi, ku e përfaqëson Kosovën.

Organizata Evropiane për Cilësi është ombrella e organizatave nacionale të Evropës, të cilat promovojnë standardet më të mira të cilësisë dhe aspekteve me rëndësi të jetës në Evropë dhe më gjerë.