Kosova në “Tour ta’ Malta”

E publikuar: 23/03/2015 10:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas anëtarësimit në Unionin Ndërkombëtar të Çiklizmit (UCI), Kosova do të debutojë në javën që po vjen në arenën ndërkombëtare.

Në fakt, Federata e Çiklizmit e Maltës do ta organizojë garën prestigjioze, “Tour ta’ Malta”, në të cilën do të debutojnë edhe çiklistët kosovarë.

Kjo garë katërditore do të nisë të enjten dhe në të do të marrin pjesë 110 garues, 59 prej të cilëve janë shtetas të huaj, kurse të tjerët vendas. Gara do të zhvillohet në tri disiplina: Elitë, Master, dhe për Femra.

Organizatori i kësaj gare e cilëson të veçantë pjesëmarrjen e çiklistëve nga Kosova. Pjesëmarrjen e kosovarëve e ka mirëpritur presidenti i Federatës së Çiklizmit të Maltës, John Zammit, në një konferencë për media, që është përcjell me interes nga gazetarët e atjeshëm.

“Në ‘Tour ta’ Malta’ do të debutojë edhe ekipi përfaqësues i Kosovës”, ka deklaruar Zammit, duke e konsideruar pjesëmarrjen e Kosovës si risi të kësaj gare.

“Ata janë ftuar të marrin pjesë në garën tonë nga një grup i çiklistëve të Maltës, të cilët garuan në Dubai më herët gjatë këtij viti. Dhe, ata kanë pranuar me dëshirë. Çiklistët nga Kosova tashmë kanë mbërritur në Maltë për t’u përgatitur për garën”, ka theksuar Zammit.

“Ne po ashtu kemi një skuadër nga Uganda, por ata kanë disa probleme me viza. Kontingjenti më i madh është prapë nga Britania e Madhe, por kemi edhe ngasës nga Italia, që garojnë me tri skuadra, Gjermania, Holanda dhe Danimarka”, ka potencuar Zammit.