Kosova në luftë me prostitutat

E publikuar: 20/10/2016 08:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Trafikimi me qenie njerëzore, apo siç njihet në zhargonin e sotëm “skllavërinë moderne”, mbetet sfidë e pakapërcyeshme për institucionet e Kosovës.

Edhe pse autoritetet e rendit në vend po bëjnë përpjekje për ta luftuar dhe për ta parandaluar trafikimin me qenie njerëzore, Kosovës i duhet shumë punë për t’i plotësuar standardet ndërkombëtare për ta eliminuar këtë dukuri.

Kështu u tha të martën në hapjen e fushatës së vetëdijesimit kundër trafikimit me qenie njerëzore, ku u zhvillua një konferencë në të cilën morën pjesë udhëheqësit e institucioneve vendore dhe të atyre ndërkombëtare.

Të gjithë kërkuan nga organet e rendit dhe të drejtësisë të punojnë më shumë në parandalimin dhe eliminim e kësaj dukurie, shkruan sot Gazeta Zëri.

Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, tha se institucionet përkatëse duhet të punojnë edhe më shumë, me qëllim që gjatë javëve dhe muajve në vijim ta ndryshojnë thellësisht imazhin e Kosovës në këtë fushë.

Ndërsa kërkoi nga Prokuroria dhe gjykatat t’u japin prioritet lëndëve që kanë të bëjnë me trafikimin me qenie njerëzore.

“Ndëshkueshmëria e njerëzve të përfshirë në trafikim me qenie njerëzore nuk është në shkallën e duhur dhe këtu duhet bërë ndryshime thelbësore. Nuk jam këtu për të adresuar asnjë kritikë gjithandej, sepse jemi të vetëdijshëm për shkallën e lartë të ngarkimit të gjykatave tona dhe të Prokurorisë. Mirëpo është thelbësore që gjatë javëve dhe muajve në vijim ne ta ndryshojmë thelbësisht imazhin e Kosovës në këtë fushë… Ne do t’u kërkojmë me mirësjellje sot edhe Prokurorisë, edhe gjykatave që për aq sa kanë mundësi, gjithnjë duke pasur parasysh sa të ngarkuara janë, që t’u japin prioritet lëndëve të cilat kanë të bëjnë me trafikimin me qenie njerëzore”, tha ministri Hyseni