Kosova ndërmjet mbajtjes së zgjedhjeve dhe Qeverisë teknike

E publikuar: 14/08/2019 16:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas dorëheqjes së kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, shumica e partive politike parlamentare në Kosovë, kanë deklaruar se janë për zgjedhje të jashtëzakonshme dhe jo për një Qeveri teknike.

Megjithatë, përfaqësues të disa partive politike dhe analistë politikë thonë se ende nuk janë shuar të gjitha mundësitë që të ketë një qeveri teknike për të vazhduar mandatin e Qeverisë Haradinaj.

Albulena Haxhiu, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, tha se përveç subjektit të cilit ajo i takon, ka parti politike dhe mekanizma të tjerë që po i shfrytëzojnë të gjitha mundësitë që vendi të mos shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

“As sot nuk mund të themi se janë ndalur këto angazhime sepse kemi përvoja të hidhura… janë bërë koalicione më të çuditshme vetëm e vetëm që të kemi qëndrueshmëri në politikë ose të mos shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme. Për Vetëvendosjen zgjedhjet e jashtëzakonshme janë zgjidhje dhe ne konsiderojmë se opozita edhe prej sot, duhet të jetë qeverisja e ardhshme”, tha Haxhiu.

Politologu, Ramush Tahiri, tha për Radion Evropa e Lirë, se pavarësisht deklarimeve të partive politike se vendi duhet të shkojë në zgjedhje, ende ka kohë për formimin e një qeverie teknike. Ai thekson se qeveria teknike e nxjerrë vendin nga kriza.

“Gjithmonë ka kohë për qeveri teknike nëse partitë merren vesh edhe nëse ka platformë dhe qëllim”, tha Tahiri.

Tahiri konsideron se disa mekanizma dhe parti politike në forma të caktuara kanë shprehur gatishmëri që të ketë një qeveri teknike në mënyrë, siç thotë ai, të përfundojnë disa proceseve si është dialogu politik mes Kosovës dhe Serbisë si dhe reforma zgjedhore.

/shkrimin e plotë e gjeni në Radion Evropa e Lirë/