Kosova luan në udhëtim te Ishujt Faroe, për ta ruajtur pozitën e parë

E publikuar: 14/10/2018 10:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Përfaqësuesja e Kosovës e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme aventurën në Ligën e Kombeve.

Dardanët kanë marrë shtatë pikë në tri ndeshjet e para, duke shënuar dy fitore në shtëpi dhe duke barazuar ndaj Azerbajxhanit në udhëtim.

Ndeshja e radhës e Përfaqësueses sonë është sot (e diel) në udhëtim tek Ishujt Faroe.

Të besuarit e Bernard Challandes udhëtojnë për të vetmin qëllim, fitoren pasi vetëm fitorja do t’i mbante në krye të Grupit 3 në Ligën D.

Kosova në këtë takim futet pas fitore në Prishtinë 3-1 ndaj Maltës, në anën tjetër Ishujt Faroe u mposhtën në shtëpinë e tyre thellë 0-3 nga Azerbajxhani.

Kosova në këtë takim pritet të ketë mungesa, pasi mbrojtësi i majtë Leart Paqarada është lënduar, ndërsa Hekuran Kryeziu ka kartonë të verdhë dhe nuk do të luajë.

Në dyshim mbetet edhe ylli i ndeshjes së kaluar Benjamin Kololli që pësoi një lëndim.

Përballja e parë mes dy Përfaqësueseve e zhvilluar në Prishtinë i takoi Kosovës me rezultat të pastër 2-0 falë golave të shënuar nga Arber Zeneli dhe Atdhe Nuhiu.

Ndeshja mes Ishujve Faroe dhe Kosovës zhvillohet me fillim nga ora 18:00 dhe gjykohet nga çeku Zelinka. /Telegrafi/