Kosova kishte nisur dialogun për vizat para 100 muajsh, vendet e rajonit e kishin kryer 5 herë më shpejt

E publikuar: 19/05/2020 11:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kosova ka filluar dialogun me BE-në për liberalizimin e vizave para 8 vjetëve, saktësisht më 19 janar 2012.

Kanë kaluar 100 muaj nga fillimi i këtij dialogu i cili u quajt procesi i liberalizimit të vizave.

Instituti EPIK ka publikuar sot një statistikë duke krahasuar kohëzgjatjen e dialogut për viza mes Kosovës dhe shteteve fqinje me Bashkimin Evropian, raporton Gazeta Express.

“Më 19 janar 2012, Kosova dhe BE-ja kanë filluar dialogun për liberalizimin e vizave. Sot bëhen 100 muaj që nga lansimi i dialogut. Në infografikën e radhës kemi krahasuar kohëzgjatjen e procesit të liberalizimit të vizave të Kosovës me vende të tjera të rajonit dhe më gjerë”, thuhet në publikim.

Shtetet fqinje si Serbia, Mali i Zi e Maqedonia e kanë përfunduar procesin e dialogut për viza me BE-në për 22 muaj, Shqipëria dhe Bosnje e Hercegovina për 33 muaj, ndërkaq Kosova ka filluar këtë dialog tash e 100 muaj.

Parlamenti Evropian ka mbështetur iniciativën e raportuesve për Kosovën lidhur me liberalizimin e vizave me shumicë votash më 2018 dhe 2019, por regjimi i vizave ende mbetet në fuqi për shtetasit e Kosovës që duan të vizitojnë zonën shengen.

Deputetë të Parlamentit Evropian, siç janë Viola Von Cramon dhe deputeti gjerman, Peter Beyer, kanë deklaruar së fundi se është e pakuptimtë vonesa e BE-së karshi Kosovës për liberalizim të vizave, dhe të njëjtit kanë bërë thirrje që BE-ja të bëjë këtë sa më parë që është e mundur. /GazetaExpress