Kosova importon lëndë të parë nga Serbia, por jo edhe mallrat tjera

E publikuar: 20/12/2018 10:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Katër javët e para që nga vendimi i Qeverisë së Kosovës për taksën doganore 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnja Hercegovina, kanë dëshmuar rënie të lartë të importit të këtyre mallrave në tregun e Kosovës.

Sipas të dhënave të Doganës se Kosovës, nga data 21 nëntor, kur ka filluar të zbatohet vendimi i Qeverisë se Kosovës, nga këto shtete janë zhdoganuar 174 kamionë (145 nga Serbia dhe 29 nga Bosnja kamionë) , kryesisht lëndë e parë për prodhuesit kosovarë, të cilët kanë paguar taksën mbrojtëse mbi 290 mijë euro(250 mijë nga Serbia dhe 41 mijë euro nga Bosnja Hercegovina).

Kurse në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, nga Serbia dhe Bosnja në Kosovë kishin hyrë nga 2800 deri në 3000 maune me produkte të ndryshme, me një vlerë prej 35 milionë eurosh. Këtu janë përfshirë edhe maunet me produkte nga këto dy shtete, por edhe ato ndërkombëtare të prodhuara në Serbi dhe Bosnje, ka treguar për Radion Evropa e Lirë, Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganës së Kosovës.

Përfaqësues të komunitetit të prodhueseve në Kosovë janë shprehur se tarifa doganore ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës i ka dhënë efektet e veta në ekonominë e përgjithshme të Kosovës. Një nga efektet, sipas tyre, është rritja e prodhimit vendor.

Drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha, thotë për Radion Evropa e Lirë, se pas vendosjes së taksës, kompanitë prodhuese vendore kanë pohuar se kanë rritje të kërkesës për produktet e tyre dhe njëherësh tashmë kanë rritur edhe numrin e punëtorëve.