Kosova humb 12 milionë euro nga BE-ja, nuk siguron lokacion për një deponi mbeturinash të rrezikshme

E publikuar: 07/06/2019 10:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë njoftoi se i është dashur të anulojë një projekt prej 12 milionë eurosh për ndërtimin e deponisë së mbeturinave të rrezikshme në Kosovë.

Ky projekt përfshinte ndërtimin e objekteve për deponimin e mbeturinave të rrezikshme bazuar në vendimin e Qeverisë së Kosovës në vitin 2010. Si rrjedhojë, projekti u përfshi në Instrumentin e BE-së për Ndihmën e Para-Anëtarësimit (IPA) për 2015.

Për ndërtimin, Qeveria fillimisht identifikoi një parcelë toke brenda kompleksit të vjetër ushtarak në Harilaq në Fushë Kosovë, e cila, pas studimeve paraprake, nuk doli të jetë e përshtatshme për shkak të mjeteve të pashpërthyera dhe bunkerëve të vjetër, duke e bërë të pamundur ndërtimin.

Pas disa kërkesave nga ana e BE-së në Kosovë, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor identifikoi një lokacion alternativ brenda komunës së Fushë Kosovës.

Megjithatë, Kuvendi i Komunës e refuzoi ngritjen e objektit në territorin e saj, duke mos i lënë kështu BE-së opsion tjetër, veçse të anulojë projektin.

“Pa parcelë toke të identifikuar, nuk është më e mundur të bëhet Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis, projektimi i hollësishëm dhe të përgatitet dosja e tenderit dhe procedura përkatëse përzgjedhëse për kryesin e punëve brenda afatit të kontratës që është 15 dhjetor 2019. Në këtë pikë, thjesht nuk ka kohë për identifikim të një parcele të re dhe për kryerjen e serishme të të gjitha aktiviteteve përgatitore si gjeologjike, gjeoteknike, projektimi paraprak, konsultimet publike etj.”, thuhet në deklaratën e BE-së.

Bashkimi Evropian shpreh keqardhje për anulimin e këtij projekti, pas sipas tyre, i njëjti do t’i sillte përfitime të mëdha gjithë popullsisë, duke siguruar deponi të përshtatshme për mbeturinat e rrezikshme. Aktualisht, nuk ka një përkujdesje për këto mbeturina dhe si të tilla paraqesin kërcënim për shëndetin e njerëzve në mbarë Kosovën.

“BE-ja kontribuon me pothuajse 100 milionë euro ndihmë financiare për Kosovën në vit. BE-ja mbetet e angazhuar të punojë ngushtë me Kosovën, përfshirë edhe me autoritetet lokale, për të investuar në një mbrojtje më të mirë mjedisore”, përfundon deklarata.

Pas anulimit të projektit 12 milionë eurosh nga Bashkimi Evropian për ndërtimin e deponive të mbeturinave, ka reaguar edhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) që ka shprehur shqetësimin e thellë për këtë vendim.

Sipas tyre, kjo është humbja e radhës e fondeve IPA të BE-së, dhe në të njëjtën kohë, është tregues i mënyrës se si Kosova po e pozicionon veten e saj në politikën e zgjerimit të BE-së.

“Humbjet e tilla të fondeve IPA nuk kanë vetëm peshë financiare, por, më së shumti, kontribuojnë në dëmtimin e imazhit të Republikës së Kosovës si një partner serioz në procesin e integrimit. Jo vetëm kaq, por me humbje të tilla Kosova vazhdon t’i lëshoj vendin shteteve tjera në rajon si Serbia, Maqedonia e Veriut e Mali i Zi, të cilët jo vetëm që përfitojnë shumë herë më shumë asistencë IPA nga BE-ja në krahasim me Kosovën, por po e kurojnë imazhin e tyre përmes menaxhimit adekuat dhe të përgjegjshëm të fondeve të tilla”, thuhet në reagim.

GLPS thotë se Qeveria thjeshtë dështoi për të gjetur një pronë publike ku do të mundësonte vendosjen e impiantit të mbetjeve toksike, në të cilin do të vendosej ky investim i BE-së.

“Shprehu zhgënjimin e thellë me veprimin dhe paaftësinë e institucioneve të Kosovës për të kuptuar rëndësinë e ndihmës financiare të ofruar në këtë rast, si dhe dështimin e tyre për t’u angazhuar që Kosova të ketë mundësi të përfitoj projekte të tilla në të ardhmen. Kjo qasje përveç që është dështim për të kuptuar rëndësinë e mbrojtjes së ambientit, e njëjta është tregues që institucionet e Kosovës nuk ka kapacitetin minimal për të përfituar nga donacionet e huaja”, përfundon deklarata e GLPS-së.