Kosova falënderon kongresmenin Eliot Engel

E publikuar: 03/01/2021 19:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj, ka falënderuar kongresmenin amerikan Eliot Engel për angazhimin e pashoq për Kosovën.

Shefja e diplomacisë kosovare, përmes një video, ka veçuar momentet kryesore të angazhimit të Engel për Kosovën, i cili vazhdon të jetë zëri i fuqishëm i Kosovës në Uashington.

“Ju na ndihmuat në momentet tona më të errëta, ishit dhe vazhdoni të jeni zëri ynë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një kampion për të drejtat tona dhe vendin tonë në botë, një përpjekje që vetëm miqtë e vërtetë mund ta bëjnë. Ju ishit një fener drite që na përfaqësonit në Kongresin e Shteteve të Bashkuara dhe e vërteta jonë ishte e sigurt me ju, dhe për këtë, ne jemi thellësisht mirënjohës”, ka thënë me këtë rast Haradinaj.

Haradinaj shtoi se Engel ka një vend të veçantë në zemrat e njerëzve të Kosovës.

“Ju jeni një hero i vërtetë për ne. Republika e Kosovës do t’ju kujtojë gjithmonë si një mik që u ngrit për ne në kohë nevoje dhe në kohë paqeje, dhe ne shpresojmë të vazhdojmë punën tonë së bashku, drejt horizonteve të reja”, ka thënë Haradinaj.