“Kosova është vend i të gjitha komuniteteve”

E publikuar: 21/02/2018 23:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në qeveri, të mërkurën, u diskutuan sfidat dhe prioritetet në zbatimin e politikave për komunitetet Rom dhe Ashkali në Kosovë. Mbështetja e komuniteteve u konsiderua edhe si kusht për integrim në BE, nga përfaqësues ndërkombëtarë, raporton KTV.

Kosova është vend i të gjithë komuniteteve. Romët dhe ashkalinjtë duhet të jenë të barabartë me ne.

Kështu ka thënë kryeministri Haradinaj, në ditën e këtij komuniteti në seminarin e organizuar nga Zyra për Qeverisje të Mirë, në bashkëpunim me Zyrën e Komisionit Evropian.

Shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, deklaroi se mbështetja e
komuniteteve është kusht i rëndësishëm për integrim në BE.

“Realiteti është i hidhur në terren. Këto komunitete vuajnë nga diskriminimi dhe varfëria. Mbështetja e këtyre komuniteteve është kusht i vlefshëm drejt rrugës evropiane. Kosova ka instrumente relevante dhe kornizën legjislative në vend, mirëpo nëse nuk i kthejmë fjalët në veprime, atëherë është koha të mendojmë për qasjen që e kemi dhe të mendojmë se çfarë duhet të bëjmë më mirë. Është mirë që të punojmë së bashku, që t’iu ofrojmë arsimim më të mirë dhe jetesë më të mirë”.

Përfaqësuesi i shoqërisë civile, Isak Skënderi, tha se duhet të tregohet seriozitet më i lartë në trajtimin e komuniteteve.

Marta Garcia Fidalgo, koordinatore e politikave për romët, tha se viteve të fundit ka pasur përmirësime në përfshirjen e komuniteteve në shoqëri.

“Ka pasur zhvillime pozitive. Dokumentet janë përfunduar por duhet të punohet në praktikë. Unë mirëpres punën tuaj dhe qeveria duhet të garantojë që komunitetet të kenë kushte të barabarta me të gjithë. Ka një politikë të qartë të BE-së që ta kuptoni që çfarëdo hapi përpara drejt përmirësimit të jetës së komuniteteve është hap përpara drejt Bashkimit Evropian”.

Me rastin e Ditës së Komunitetit Ashkali, një ditë më parë është organizuar një konferencë ceremoniale./koha.net/