Kosova dhe Franca thellojnë bashkëpunimin bilateral

E publikuar: 07/07/2020 18:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas takimit në Elysee, ku ishte pritur nga Presidenti francez Emmanuel Macron, Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti i ka nënshkruar sot pasdite në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Francës dy marrëveshje bilaterale Kosovë-Francë.

Nga pala franceze marrëveshjet u nënshkruan nga Sekretari i Përgjithshëm në MPJ, Francois Delattre.

Në kumtesën qeveritare bëhet e ditur se njëra marrëveshje e mundëson zhvillimin e aktiviteteve në Kosovë të Agjencisë franceze për zhvillim, kurse tjetra e lejon punësimin e anëtarëve të familjeve të diplomatëve.

“Me këtë marrëveshje vendosen bazat e bashkëpunimit mes Qeverisë së Kosovës dhe Bankës Franceze për Zhvillim në sektorët si energjia, shëndetësia, sektori i ujit, teknologjia digjitale, trajnimi profesional etj. Përveç mbështetjes që Franca i jep Kosovës nëpërmjet Bashkimit Evropian, këto dy marrëveshje shënojnë thellim konkret të marrëdhënieve bilaterale në mes dy vendeve. Qeveria e Kosovës dhe ajo e Francës janë duke përgatitur një numër marrëveshjesh, të cilat dëshmojnë kualitetin e shkëlqyeshëm të marrëdhënieve dypalëshe”, thuhet në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.