Kosova dhe fitorja e Joe Biden

E publikuar: 09/11/2020 11:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shkruan: Avni Jashari

Ishte viti i largët 1988 kur në SHBA po organizoheshin zgjedhjet pas përfundimi të mandatit 8 vjeçar që kishte Presidenti i atëhershëm, Ronald Regan. Me kujtohet se në garë atë botë nga kampi Republikan ishte ish nënpresidenti që mbante këtë pozitë në administratën Regan, George H. W. Bush (i vjetri) ndërkaq nga kampi demokrat ishte senatori I Massachusetts, Michael Dukakis. Interesimi për zgjedhje në SHBA ishte i madh brenda familjes sime të ngushte dhe të gjerë.
Në një moment e pyeta babain i cili njihte mirë politikën e vendit dhe atë ndërkombëtare se pse kishte interesim kaq të madh për këtë garë presidenciale dhe pse në të gjitha bisedat e dëgjoja të thoshte se Bush është mirë të fitoj për ne.
Ai më tha se kishte rëndësi të madhe për ne si shqiptarë në Ballkan dhe atë botë nën tutelën e Jugosllavisë se kush do të zgjidhej president në SHBA. Meqë isha i vogël dhe atë botë kisha 7 vjet sigurisht që edhe shpjegimi që ma bëri babai ishte me shumë edukativ dhe në suaza të asaj që un mund ta kuptoja më mirë: “George Bush i donë shqiptarët ndërkaq Dukakis është me prejardhje greke dhe ai i do serbët më shumë se ne”, ky ishte një shpjegim i shkurtër por që për mua mjaftonte ta kuptoja se cili ishte i mirë për ne.
Ethet në atë moshë me kapën kur çdo ditë po bëja pyetje se cili athua do të fitonte dhe e parashihja Bushin (e vjetër) si një Supermen ndërkaq Dukakisin si një Gargamell! Ishte kjo një fantazi prej fëmije por që arsyeja e shpjegimit të kësaj është fondamental për këtë që po shkruaj tani.
Zgjedhjet e fundit në SHBA ndërmjet Donald Trump dhe Joe Biden me kthyen sërish në fëmijërinë time kur tani fëmijët e mi më pyesin mua siç unë po e pyesja babain tim 32 vite më parë. Sot rrjetet sociale po u japin mundësi edhe fëmijëve që të jenë me aktiv në të gjitha fushat. Shpjegim kuazi të njëjtë ju dhashë fëmijëve të mi se perse ishte më mirë të fitonte Biden sesa Trump, por që kjo më ngjalli përveç nostalgjisë që ma kujtoj babain tim tashmë të ndier mu kujtuan edhe të gjithë ata njerëz që sot nuk janë në mesin tonë e që disa nga ta u vranë për lirinë e Kosovës e disa vdiqën me mall për ta par realizimin e saj.
E dyta çfarë mendoja është katrahura dhe nëpërkëmbja deri tek copëtimi i Kosovës që po i kanosej nga njerëzit që thirrën se kanë luftuar për këtë që e kemi sot. Pse po u dashka ende ne të mendojmë e shpresojmë që në SHBA të jetë president dikush si Biden, që në Gjermani të jetë kancelarë dikush si Merkel, që në Franc të jetë një kryeministër dikush si Sarkozi, që në Itali të jetë kryeministri pro shqiptare siç ishte Berlusconi. Pse kjo retorike duhet të na përcjell tash mbas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës!
Shpjegimi nuk është edhe aq i thjesht por edhe nuk do shumë për tu elaboruar. Kur vendit po i vije laku ne fyt nga marrëveshjet e dëmshme të cilat po shtyhen përpara nga udhëheqës më të pa përgjegjshëm që ka pas Kosova ndonjëherë në historikun e saj, kur një President i Kosovës nuk heziton të nënshkruaj marrëveshje të dëmshme e në kurriz të vendit vetëm e vetëm ta shpëtoj lëkurën e vet. Kur një kryeministër sharlatan nuk është në gjendje ti thotë presidenti të serb kur ai e pyet se a din serbisht që të ja kthej dhe ta pyeste se ai a din gjuhen shqipe!
Nëse Kosovës po i cenohej integriteti territorial dikur nga armiqtë shekullor, sot i rrezikohet nga elita politike e korruptuar, nga kriminel e mafioz pro serb e pro rus që të kaluarën dhe të tashmen e tyre e kanë përplot dyshime dhe aspak të pastër, mjafton të shikohet një video e cila se fundmi po qarkullon në rrjetet sociale për me pa se kush ka pas dhe ka rol kyç në Kosovë nga pas lufta e gjerë më tani! Është pra video ku shihet dhe dëgjohet Shaban Jashari (vëllai i Hamëz e Adem Jasharit) duke i thënë Hsahim Thaçit: “Mos me hajde ma në shpi, hajt vazhdo”. Në këtë pikë janë përgjegjës edhe familja Jashari që nuk ishte dashtë të rrinë gojë kyçur por të tregojnë realitetin e këtyre fundërrinave që sollën vendin këtu ku jemi sot.
E po pra në ende sot gëzohemi dhe duhet t`i mbajmë si thotë populli veshtë në krah, se kush po behët president në SHBA, se kush po fiton zgjedhjet në Gjermani ,etj. Me marrëveshjen e fundit në Uashington nga një president filorus që fatmirësisht dhe për të mirën e mbarë globit humbi zgjedhjet në SHBA, elita politike kosovare i ka dhënë vulë të zezë vetës, jo që kanë pas vulë të bardhë edhe me parë por ky ka qenë kulmi i papërgjegjësisë ndaj popullit të përvuajtur me vite në Kosovë.
Kosovës më shumë se kurrë më parë i duhet një forcë politike e cila e ka në shpirt patriotizmin e jo korrupsionin, e cila e do drejtësinë dhe jo shantazhin, e cila bënë politike për të mirën kolektive e jo për të mirën individuale e klanore. Një politikë që nuk negocion me shovinistët serb pa njohjen e Kosovës në kufijtë e saj territorial të mbrojtur ndërkombëtarisht, ku në të gjitha bisedimet me kriminelet serb ta vënë në ballë vendimin e GJND dhe fotografitë e të masakruarve në Kosovë. Politikan që nuk vendosin emblemën e UCK-së vetëm kur e shohin zorin dhe kur donë ta shpëtojnë lëkuren e vet.
Është koha që Kosova të zhveshët nga mitet dhe ti kthehet realitetit, të gjitha partitë sot në Kosovë pa përjashtim ja të mitizuara dhe ende na shesin gënjeshtra me ato që jemi dëshmitar dhe e dimë mirë se cili është realiteti në fakt.
Kosova do vazhdoi të fundosët dhe s`ka fuqi që mund ta shpëtoj nëse ne nuk marrim hapa ta bëjmë vet një gjë të tillë.
Shpresoi që nipërit e mijë të mos u drejtohen më baballarëve të tyre siç unë ju kisha drejtuar babait tim dhe fëmijët e mi mua. Shpresoi që në të ardhmen nuk do të bimë të flemë me ndjesinë se kush po vjen në pushtet në X-Y shtetin se a është më mirë apo më keq për ne. Shpresoi që e ardhmja e nipërve tanë të jetë synimi i arritshmërivë në teknologji, në sport në ekonominë e tregut etj. Ndjesia e gllabërimit duhet t`i gllabëroj ata të cilët duan copitim dhe ata të cilët na sollën në këtë gjendje. Zoti i madh sheh, por siç thuhet edhe në librin e shenjt, në Kur-an: “Zoti nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ata të ndryshojnë vetveten.” (Rad, 11) Ne jemi ata që ndryshojmë gjendjen tonë si për të mirë ashtu edhe për të keq, ‘frakturat’ do i paguajnë në fund fëmijët dhe nipërit tanë.