Kosnetti pret që SHBA-ja të dalë më e fuqishme pas trazirave të fundit

E publikuar: 05/06/2020 17:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, ka thënë se Amerika do të dalë më e fuqishme nga situata aktuale pas trazirave të shkaktuara pas vdekjes së afroamerikanit George Floyd në duart e policisë.

Në një postim në Facebbok, Kosnett ka falënderuar qytetarët e Kosovës që kanë shprehur ngushëllime e brengën për vdekjen e Floydit. Ai ka thënë se autoritetet shtetërore amerikane janë të përkushtuara për drejtësi pas këtij rasti.

“Presidenti Trump ka deklaruar: Vdekja e George Floydit në rrugët e Mineapolisit ishte tragjedi e rëndë, që nuk do të duhej të kishte ndodhur kurrë. Ajo i ka mbushur amerikanët anembanë vendit me ndjenjë të tmerrit, zemërimit dhe pikëllimit”, ka kujtuar Kosnett.

“Si amerikan dhe si njeri, e ndaj zemërimin për vdekjen e Z. Floyd dhe i kam shikuar ngjarjet që pasuan në rrugët e qyteteve amerikane me shqetësim të thellë. Përderisa vazhdojmë të përfytemi me diskriminimin në jetën dhe drejtësinë amerikane, objektet si Memoriali Kombëtar për Paqe dhe Drejtësi dhe Muzeu i Trashëgimisë na ndihmojnë të ekzaminojmë të kaluarën në mënyrë të sinqertë dhe ta dyfishojmë vendosmërinë tonë për të mundësuar drejtësinë në të tashmen. Unë besoj se Amerika do të dalë nga ky çast i tmerrshëm më e fuqishme dhe edhe më e përkushtuar për të gjetur rrugën përpara për të përmbushur premtimin historik të të drejtave të barabarta dhe drejtësisë së barabartë për të gjithë qytetarët. Kjo do të kërkojë veprim të bashkërenditur të qeverisë dhe qytetarëve, me ndihmën e shtypit të lirë. Të njëjtën gjë e duam edhe për Kosovën”, ka vazhduar Kosnetti.

Vdekja e Floydit në duart e policisë ka çuar në protesta masive në gjithë SHBA-në dhe disa prej tyre janë shndërruar në dhunë e plaçkitje.