Kosnett reagon për dorëheqjen e Haradinajt: Do t’ju vëzhgojmë si do të zgjidhet situata

E publikuar: 26/07/2019 16:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kosova për herë të parë pas pavarësisë po përballet me aktin e dorëheqjes së një kryeministri.

Akti i dorëheqjes së Ramush Haradinajt tashmë ka ngritur diskutime të shumta rretha saj se si do të duhet të procedohet tutje për krijimin e institucioneve të reja.

Partitë politike kanë bërë thirrje që Presidenti në përputhje me detyrimet e tij dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës të thërras partitë politike për të caktuar datën e re të zgjedhjeve, transmeton Express.

E gjithë këto zhvillime nuk kanë pasur se si të mos bien në syrin e Ambasadorit të SHBA-së në Prishtinë, Philip Kosnett.

Në një reagim në faqen zyrtare , Philip Kosnett, ka thënë se do ta përcjellin për nga afër se si do të zgjidhet kjo situatë, duke specifikuar respektimin e ligjeve dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

“Duke vëzhguar me vëmendje se si Kosova ballafaqohet për herë të parë me dorëheqjen e një kryeministri. Si do të trajtohet kjo çështje, do të tregojë forcën e institucioneve të Kosovës dhe gatishmërinë e zyrtarëve për t’iu përmbajtur Kushtetutës dhe ligjeve”, thuhet në reagimin e lëshuar nga Ambasada amerikanë që drejtohet nga Philip Kosnett.

Kosnett këtë herë ka lëshuar një reagim direkt për rastin e dorëheqjes së Haradinajt, pasi që javën e kaluar një ditë pasi ishte dorëhequr kreu i Qeverisë, kishte lëshuar një reagim ku bënte thirrje për vazhdimin e dialogut, ndërkohë nuk ishte marrë fare me aktin e dorëhqjes.

Ndryshe, kryeministri Ramush Haradinaj në mbledhjen e Qeverisë në largim ka thënë se vlerësimi i temave se cila temë është më e zakonshme dhe më urgjente merr shumë kohë.

Ai ka thënë se këtë çështje do ta çojë në Kushtetuese. Haradinaj ka bërë të ditur se në këtë situatë mënyra e vetme është t’i drejtohet Kushtetueses.

Kryeministri Haradinaj po ashtu ka thënë se secila temë e cila pret të votohet në mbledhje është urgjente.

“Me respekt për praktikat, marrëveshja politike nuk na ia jep edhe bazën ligjore”, ka thënë ai.

Ai ka kërkuar nga partneri i koalicionit që të vendosin bashkë për ta çuar në Kushtetuese ose për t’i bërë vlerësimet e duhura ligjore që do të trajtohen në mbledhjet e Qeverisë, ngase siç është shprehur ai, frikësohet të thërras një mbledhje të radhës pa e ditur bazën ligjore të saj.

Po ashtu, ai ka thënë se nuk do t’i thirr dhe udhëheqë mbledhjet pa një vendim të Kushtetueses.

Tutje kryeministri në largim ka thënë se në rast se nuk mbahen mbledhjet atëherë do të ketë stopim të lëvizjeve të proceseve.

“Unë kam dhënë dorëheqje, mirëpo kam premtuar se nuk do të krijojmë vakuum politik. Unë dua ta shfrytëzoj të drejtën time dhe t’i drejtohem Kushtetueses”, ka thënë ai.