Kosnett: Kosova arrin sukses kur udhëheqin gratë

E publikuar: 18/03/2019 16:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shoqata e Alumnive Kosovë-ShBA (KUSA) ka organizuar ceremoninë e përmbylljes së projektit të kësaj shoqate “Eliminimi i barrierave për mundësi të barabarta, ku u diskutua për rëndësinë e rolit të gruas në pozita vendimmarrëse dhe punësimin e grave, duke i dhënë fund diskriminimit gjinor në Kosovë.

Me këtë rast, ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, ka thënë se Kosova arrin suksese atëherë kur gratë udhëheqin dhe tregojnë suksese.

“Kosova arrin sukses kur gratë udhëheqin dhe tregojnë suksese. Gratë kanë pozita në polici, arsim, gazetari dhe në kuvend, gratë po punojnë në fushat që dominojnë meshkujt, siç është teknologjia. Një shembull i udhëheqjes së fuqishme, është këtu në sallë, e cila ka zhvilluar një fushatë të suksesshme në skenën botërore, tani është përkrahëse e fortë e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës, është privilegj të punosh me të. Kur i kam parë sfidat që është përballur gruaja dhe vajza ime më kanë bërë që të kuptojë që sa është e rëndësishme të punojmë të gjithë për fuqizimin e grave kudo në botë”, tha Kosnett.

Ndërkaq, ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha se mungesa e edukimit dhe diskriminimi në baza gjinore e dekurajon gruan që të synojë pozita udhëheqëse në politikë.

“Projekti është i rëndësishëm në rrethanat aktuale të Kosovës ku ende ekziston një mungesë e mundësive të barabarta për gratë, pengon gjysmën e popullsisë që të marrë rol në shumë fusha. Pres që ky projekt t’i kontribuojë fuqizimit të rolit të gruas në Kosovës. Mungesa e edukimit dhe diskriminimi në baza gjinore e dekurajon gruan që të synojë pozita udhëheqëse në politikë. Ka ende raste që gratë pyetën për statusin familjar. Në punë gratë diskriminohen për shkak të dukjes, profesionalizmit, gjinia determinon edhe pagën”, tha Jahjaga.