Koronavirusi ndikon në sektorin e ndërtimit në Maqedoninë e Veriut

E publikuar: 17/05/2020 14:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shitja e banesave të reja në Maqedoninë e Veriut ka shënuar rënie të madhe për shkak të krizës së koronavirusit.

Nga sektori i ndërtimtarisë thonë se gërshetimi i pasojave nga kriza e koronavirusit me krizën politike për shkak se vendi pritet të futet në zgjedhje gjatë kësaj vere ka ndikuar në masë të madhe në uljen e interesimit të investitorëve për të ndërtuar.

Nga grupacioni i ndërtuesve në kuadër të Odës Ekonomike, për Radion Evropa e Lirë thonë se koronavirusi ka infektuar sektorin e ndërtimtarisë madje në më shumë aspekte, si problemet administrative, lëvizja e kufizuar e qytetarëve për të frekuentuar objektet në shitje si blerës potencial, deri tek mungesa e punëtorëve të kualifikuar.

“Mund të them se ka një ndalesë të konsiderueshme në ndërtimtari, veçanërisht kjo vërehet në pjesën që ka të bëjë me ndërtimin e banesave për shitje. Kemi problem me dokumentacionin për shkak se këshillat komunale nuk funksionojnë dhe vendimet janë pezulluar“.

“Pastaj, funksionimi i administratës me kapacitet të limituar ka bllokuar dhe realizmin e shumë kontratave me këtë dhe punën tonë në ndërtimtari”, thotë Nikolla Vellkov nga grupacioni i ndërtuesve në kuadër të Odës Ekonomike.

Ndërtuesit theksojnë se Maqedonia e Veriut duhet të ndjekë shembullin e vendeve të rajonit të cilat tashmë kanë ndërmarrë masa për të sektorin e ndërtimtarisë përmes uljes së pagesave komunale madje deri në 50 për qind duke ulur kështu dhe koston e ndërtimit dhe banesave.

Salim Hasani, i cili drejton një kompani ndërtuese, për Radion Evropa e Lirë thotë se në situatë kur ulet fuqia blerëse për shkak të rritjes së numrit të papunësisë shteti duhet të paraqitet si garantues në marrjen e kredive për blerjen e banesave sepse siç thekson gjunjëzimi i ndërtimtarisë do të paralizojë tërë ekonominë e vendit ngase ky sektor është shtylla kryesore e zhvillimit ekonomik të vendit.

“Kufizimi i lëvizjes së qytetarëve ka kufizuar mundësinë që ata të janë blerës potencial. Tregu i ndërtimit është shumë i varur nga të hyrat që vijnë nga diaspora përkatësisht nga remitencat dhe ato tani për momentin janë zero, për shkak se lëvizjet janë zero dhe nuk dihet se për sa kohë mund të llogarisim në hyrje dhe tani të gjitha këto ndikojnë në uljen e shitjes së banesave“.

“Tani kemi dhe problemin e shtrëngimit të kritereve nga ana e bankave sepse në këtë situatë pasigurie edhe bankat kanë rezerva gjatë kreditimit të klientëve kështu që këto tri segmente krijojnë një klimë negative për sektorin e ndërtimtarisë që është e dukshme sepse ka rënie në shitjen e banesave”, thotë Salim Hasani, drejtues i një kompanie ndërtimi të komplekseve banesore.

Ai thekson se nuk mund të pritet në asnjë mënyrë ulje e çmimeve të banesave për shkak se edhe ashtu në Maqedoninë e Veriut çmimet janë nga më të ulëtat krahasuar me vendet e rajonit, por shton se kriza mund të ngrijë për një kohë çmimet aktuale.

Ndërkaq Oliver Dimitrovski, i cili drejton një agjenci të patundshmërive, për Radion Evropa e Lirë thotë se pavarësisht kërkesës shumë të ulët në këtë periudhë megjithatë për momentin çmimi I banesave mbetet I njëjtë.

Ai megjithatë shton se kompani ndërtuese që kanë marrë kredi nga bankat do të detyrohen së shpejti që të ulin çmimet si rrjedhojë e presionit të pagesës së kësteve.

Oliver Dimitrovki thekson se veprimtaria e agjencisë së patundshmërive gjatë dy muajve të fundit ka rënë gati se 90 për qind për shkak se në këtë moment askush nuk ka marrë guximin as të shes e as të blejë.

“Kufizimi i lëvizjeve për shkak të orës policore si dhe ndjenja e pasigurisë ekonomike për shkak të krizës së koronavirusit gjatë dy muajve të fundit, në muajt mars dhe prill, ka pasur një ulje drastike të frekuentimit të komplekseve të shitjeve me rreth 90 për qind ose rreth pesë herë më pak sesa në muajt janar dhe shkurt”, thotë Dimitrovski.

Ndryshe, të dhënat e regjistrit të kadastrës kanë bërë të ditur se në periudhën janar – mars 2020, në vend janë shitur 719 banesa të sapondërtuara, që është për 162 banesa më pak se në tremujorin e katërt të vitit 2019.

“Për dallim nga tremujori i kaluar, në këtë tremujor ka rritje të banesave të pashitura për 390 banesa. Në fund të marsit, këtë vit, në gjithë territorin e shtetit ka 6.432 banesa të cilat janë ndërtuar, ndërsa ende nuk janë shitur dhe ofrohen në treg të patundshmërive. Gjithashtu, në Agjencinë për kadastër të patundshmërive janë lëshuar 12.706 letra për ri shënim të ndërtimit që sugjeron se këto objekte janë në fazë të ndërtimit dhe së shpejti do të gjenden në tregun e patundshmërive”.

“Mund të konstatohet që numri i objekteve të reja por momentin e plotëson kërkesën për banesa të reja”, theksohet në raportin e Kadastrës së Maqedonisë së Veriut.