Kopaç: Kontrata për “Kosovën e Re” të rishikohet, por jo nga njerëzit që e bënë atë

E publikuar: 02/07/2018 09:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kontrata për termocentalin “Kosova e Re” përbën shkelje të legjislacionit për energji të Bashkimit Evropian, dhe si e tillë duhet të rishikohet, ka thënë drejtori i Sekretariatit të Komunitetit për Energji, Janez Kopaç.

Por ka theksuar se kjo nuk mund të bëhet nga njerëzit në Qeveri, që i siguruan përparësi kompanisë amerikane “Contour Global”.

Në një intervistë për “Kohën Ditore”, ai ka listuar një varg rreziqesh të cilat i bartin Kosova dhe konsumatorët me hyrjen në operim të “Kosovës së Re”.

Drejtori i organizatës në të cilën bëjnë pjesë të gjitha vendet e Bashkimit Evropian dhe ato të Ballkanit Perëndimor është shprehur se Qeveria duhet të angazhohet në ndryshimin e kontratave tashmë të nënshkruara, në mënyrë që t’i sjellë ato në përputhje me rregullat evropiane.

Në intervistën e gjatë dhënë për gazetën, Kopaç ka folur edhe për gjendjen në përgjithësi të sektorit energjetik në Kosovë, caqet e paarritura nga institucionet kosovare për burimet e ripërtërishme, problemet me Serbinë dhe çështje të tjera.