Kontrollohen klubet e natës në Mitrovicë

E publikuar: 18/10/2019 11:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Drejtori i Inspeksionit, Hysni Ahmeti, në bashkëpunim me Policinë kanë kryer kontrolle inspektuese sipas detyrës zyrtare në disa subjekte afariste në qytetin e Mitrovicës.

Sipas kësaj komune, qëllimi i këtyre inspektimeve ka të bëjë me respektimin e orarit të punës nga bizneset e përfshira në këtë kontroll të cilat zhvillojnë veprimtaritë e tyre pas orës 23:00, ndërsa nga Drejtoria e Inspeksionit këto subjekte afariste janë udhëzuar të pajisen me leje të veçanta për zgjatje të orarit të punës.

Gjatë këtij aksioni janë inspektuar gjithsej katër subjekte afariste, ku pas inspektimit është kërkuar që të respektohet Rregullorja Komunale Nr. 03/2014 për caktim të orarit të punës për subjektet afariste.

Drejtoria e Inspeksionit thekson se do të vazhdojë edhe më tutje me aksione të tilla si dhe do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme ndaj pronarëve të cilët neglizhojnë rregullat lidhur me respektimin e orarit zyrtar të paraparë, transmeton Klan Kosova.