Konsullata e Kosovës jep detaje për procedurat e kthimit të trupit të Bajram Rexhepit nga Turqia

E publikuar: 21/08/2017 12:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i parë i Kosovës, Bajram Rexhepi, ka vdekur të hënën në mëngjes në njërin nga spitalet e Turqisë, ku prej muajsh ndodhej në koma pas sulmeve të pësuara në tru. Konsullata e Kosovës në Turqi, bashkë me familjen janë duke punuar rreth procedurave për kthimin e trupit të pajetë të Rexhepit për në Kosovë.

Në një prononcim për Gazetën Express, zyrtarë në konsullatën e Kosovës në Stamboll, kanë bërë të ditur se janë duke i pritur procedurat nga spitali për ta sjellë trupin e pajetë të Rexhepit për varrim në Kosovë.

“Jemi në komunikim me familjen. Po e presim konfirmimin e spitalit, posa të na japin  konfirmim spitali ne do tu ju informojmë”, kanë thënë zyrtarë nga konsullata e Kosovës në Turqi.

E ndërkohë ish -asistenti i Bajram Rexhepit, Sedat Gashi, ka thënë për Express, se janë në komunikim me familjen. Ai ka deklaruar se po bëjnë përpjekje që deri nesër trupi i pa jetë i Rexhepit nesër të sillet në Kosovë.

“Është e angazhuar ambasada. Në momentin që na njoftojnë ata, ne do të ju njoftojmë juve. Po mundohemi që nesër ta sjellin. Por ende nuk kemi konfirmim” ka thënë Gashi për Express.

Ish-kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi ka ndërruar jetë në moshën 63 vjeçare në një spital në Turqi.

Rexhepi prej muajit prill ndodhet në koma, pas sulmeve të pësuara në tru.
Ai fillimisht ishte shtruar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim shëndetësor,  por për shkak të gjendjes të rëndë më 25 prill ishte dërguar në Turqi.

Ndryshe, Bajram Rexhepi, kishte lindur më 3 qershor 1954 në Mitrovicë. Rexhepi kishte diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës në vitin 1979 dhe studimet pas-universitare i kishte përfunduar në Zagreb në vitin 1985.

Punoi për vite me radhë punoi si kirurg i përgjithshëm dhe specialist endoskopik në spitalin rajonal të Mitrovicës deri në vitin 1990./GazetaExpress/