Konkurrenca raporton në Kuvend, Latifi: Tregu i telefonisë celulare nën mbikëqyrje, po rritet përqendrimi

E publikuar: 13/03/2018 19:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave po diskutohet Raporti Vjetor i Autoritetit të Konkurrencës për 2017, përfaqësuesit e të cilit kanë raportuar pikat kryesore të ecurisë së vitit të shkuar.

Sipas raportimit, ekonomia e Shqipërisë u rendit e 75 në Indeksin e Konkurrueshmërisë vitin e shkuar.

“Autoriteti ka ndërhyrë në mënyrë te vazhdueshme në tregjet që kanë shfaqur problematika si tregu i telefonisë, tregu i karburanteve, i transportit detar, etj. Hetimet janë shtrirë në shumë tregje të shitjes me pakicë, me qëllim mbrojtjen e konsumatorit. Janë marrë 47 vendime nga ana komisionit të AK.  Gjatë 2017-s u ndal në rastet e transaksioneve, 16 kaluan në procedurë vlerësimi.  Ka filluar hetimi për terminalin lindor të Durrësit”, – citoi në vijimësi të raportimit kreu i AK, Juliana Latifi.

Ndër problematikat e hasura vitin e shkuar nga znj. Latifi, është tregu telefonisë celulare, sa i përket përqendrimit, kalimi i frekuencës së Plus, tashmë i mbyllur, në Vodafone dhe Telekom. “Kjo lëvizje ka rritur pozitat e Vodafone, jemi në monitorim të këtij operatori”, – ka theksuar kreu i AK.

Rekomandimet e dhëna gjatë seancës:

– Autoriteti duhet të forcojë bashkëpunimin me institucionet e tjera. Të mbikëqyrë tregun e telefonisë celulare pas përqendrimit. Te monitorojnë sjelljen e kompanive. Të bëjë të mundur ekzekutimin e vendimeve të marra në vite.

Gjatë diskutimeve, deputetja opozitare Jorida Tabaku ngriti shqetësimin nëse po hetohen koncesionet.

“A do të hetojë Konkurrenca këto tregje monopol.?”, – ngriti pyetjen znj. Tabaku.

Sipas zonjës Latifi porti i Vlorës dhe Kontrolli Teknik i Automjeteve, janë aktualisht në fazën e hetimit paraprak, ndër të cilët Kontrolli Teknik është në fazë vendimi.

Për telefoninë celulare, diskutimi i përqendrua në çështjen e krijimit të tregut oligopol, për të cilin kreu i AK u përgjigj se i kanë kërkuar AKEP informacion për pozitat dominuese.

Znj.Latifi në vijim, sa u përket synimeve për 2018 ka theksuar se AK, në përputhje me qëllimin e ligjit nr. 9121/2003, për një konkurrencë të lirë dhe efektive në treg, do të ketë si prioritetet të veprimtarisë së tij mbikëqyrjen dhe hetimin në tregjet me sensitive të ekonomisë shqiptare dhe me impakt të drejtpërdrejtë në interesat dhe mirëqenien e konsumatorit, përkatësisht: tregu i telekomunikacioneve, tregu i energjisë, tregu i hidrokarbureve, tregu financiar dhe i sigurimeve, si dhe tregu i agrobiznesit. /Monitor