Konjufca: Kemi arritur t’i kthejmë 1500 qytetarë nga shtetet e jashtme, zotohemi se do t’i kthejmë edhe 700 të tjerë

E publikuar: 13/05/2020 15:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca ka paraqitur para kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe kabinetit qeveritar punën e kësaj ministrie pë 100 ditë.

Konjufca bëri të ditur se ka pasur aktivitete të shumta në nivel të konferencave ndërkombëtare dhe samiteve.

“Njëra ndër konferencat e rëndësishme ishte ajo e Sigurisë në Mynih. Po ashtu nga takimet ishte ai i Samitit të Selanikut ku kemi pasur shkëmbime e polemika të ashpra me ministrin e Serbisë, Ivica Daçiq dhe në çdo rast ne kemi kërkuar publikisht që të ndalet fushata e egër e Serbisë kundër çnjohjeve të Kosovës, e po ashtu kemi kërkuar edhe liberalizimin e vizave për qytetarët tanë .Kam marrë pjesë edhe në Samitin e Pragës, ku morën pjesë ministrat e Ballkanit Perëndimor. Këto aktivitete po vazhdojnë edhe pas ardhjes së pandemisë kryesisht përmes videokonferencave”, tha Konjufca, transmeton Telegrafi.

Konjufca e konsideroi si paraqitje të suksesshme të Kosovës, pjesëmarrjen e tij si ministër i jashtëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

“Ka ndodh një paraqitje e suksesshme e Kosovës në OKB, ku kemi kërkuar që të aplikojnë kushtëzime ndaj Serbisë për zbardhjen e fatit të të pagjeturve. Kam kërkuar nga Daçiq të zbardhet fati i profesorit Ukshin Hoti”, tha Konjufca.

Duke prezantuar aktivitetet pas paraqitjes së pandemisë COVID-19 në Kosovë dhe mbylljes së kufijve, Konjufca theksoi se gjatë kësaj periudhe janë marrë me çështjen e riatdhesimit të qytetarëve të Kosovës që kanë mbetur në vendet e BE-së.

“Kemi kthyer pak më shumë se gjysmën e atyre që kanë kërkuar të kthehen. Numri i të kthyerve është vendosur në koordinim të plotë me Ministrinë e Shëndetësisë e cila ka qenë në koordinim me IKSHPK-në. Deri tash kemi arritur t’i kthejmë 1500 persona, ndërkaq zotohemi se deri në fund të këtij muaji dhe fillim të qershorit do t’i kthejmë edhe 700 persona”, tha Konjufca.