Konjufca: Borrell-Lajçak nuk janë kombinim i duhur për dialogun me Serbinë

E publikuar: 11/03/2020 13:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, deklaroi sot se Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak nuk janë një kombinim i duhur nga ana e BE-së për përfshirje në procesin e dialogut, pasi që ata vijnë nga shtete që vazhdojnë të kundërshtojnë njohjen e Kosovës si shtet.

Konjufca në raportimin para Komisionit për Punë të Jashtme, ka paraqitur punën e deritanishme si ministër i Jashtëm, transmeton Lajmi.net.

“Nuk e përshëndesim faktin që Lajçak vjen si emisar për dialogun nga një shtet mos njohës. Ne themi që nuk mund të jetë kombinim Borrell dhe Lajçak të cilët vijnë nga shtete mos njohëse”, tha ai.

Konjufca tha se emisari i BE-së për dialogun nuk duhet të përfshijë në pako edhe Bosnjën.

“Dy herë e kam takuar ministrin e punëve të jashtme te Sllovakisë, Lajçak. Ne i kemi bërë me dije se për neve është shumë me rëndësi të arrihet një konsensus i gjerë për dialogun me Serbinë. E dyta është pa kënaqësia jonë që në të njëjtën pako të përzihen me Bosnjën. Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë një temë që e ka pavarësinë e vet dhe të mos përzihet me ndonjë shtet tjetër. Ne ua kemi atyre këtë të qartë”, tha Konjufca.