Konjufca akuzon ‘njerëzit e pushtetit’ – Kështu merren tenderët në Kosovë

E publikuar: 12/03/2019 23:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka thënë se rasti i kërcënimit të drejtorit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, Blerim Dina, ka dëshmuar se si njerëzit e pushtetit në Kosovë i “marrin tenderët me dhunë”.

Konjufca ka thënë se lirimi i të dyshuarve për kërcënimin e Blerim Dinës është rast që tregon dështimin e gjykatave.

“Një i të dërguari të atij që ka pas me marr tenderin, tjetri është zyrtar i MPB-së shkon me atë që e lyp tenderin dhe e kërcënojnë drejtorin e OSHP-së për me marr tenderin me dhunë. Këta persona janë liru prej Gjykatës. Kështu merren tenderat në Kosovë dhe prej këtij rasti nuk ke më iluzione se si merren tenderët në Kosovë. Kur ka naj ngecje, këta e zgjidhin dhe të vijnë te shpija”, ka thënë Konjufca.

Gjykata Themelore në Prishtinë, muajin e kaluar i ka shpallur të pafajshëm Shaban Lushtakun e Naim Sallahun, të cilët shefi i OSHP-së, Blerim Dina i kishte denoncuar për kërcënim.

Prokuroria e Shtetit gjatë përpilimit të aktakuzës nuk pati gjetur elemente të veprës penale të kërcënimit por i kishte akuzuar për detyrim. /Insajderi