Konflikti në biznes dhe mënyrat për parandalimin e tij

E publikuar: 05/06/2019 12:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nga Dr.sc Refik Havolli

Konflikti në biznes është një fenomen i dëmshëm kurdoherë dhe në çfarëdo forme që manifestohet. Konflikti është si një kancer i cili, po nuk u parandalua me kohë dhe në mënyrën e duhur, lë pasoja të mëdha për biznesin dhe personat e përfshirë në konflikt. Konflikt mund ta jetë burim i frikës, zemërimit, dëshpërimit, dhunës etj. dhe ndodh nga mosmarrëveshjet ndërmjet palëve të përfshira. Konflikti negativ do ishte më e mira të parandalohej me masat dhe rregullat e krijuara paraprakisht.

Konfliktet mund të ndodhin në vende të ndryshme të biznesit ndërmjet individëve apo grupacioneve të ndryshme. Njerëzit kanë personalitete të ndryshme dhe në rastet kur mendojnë se po ju cenohet një e drejtë, në interes, apo një pushtet,  ata mund të tolerojnë, të anashkalojnë, të bëjnë kompromis, të bashkëpunojnë apo edhe të mbrojnë kauzën e tyre me forcë, gjë që shpie në konflikti. Konflikti mund të shkaktohet nga konkurrenca për burimet e pamjaftueshme, nga ndeshja e interesave, apo nga frustrimi.

Konfliktet në punë midis kolegëve, menaxherëve, por edhe ndërmjet ortakëve ndodhin në shumicën e rasteve sepse nuk i kanë të mirëpërcaktuara detyrimet dhe të drejtat që ata kanë.

Është detyrë dhe obligim i personave vendimmarrës që të hartojnë rregulla, parime specifike, të qarta, të pranuara nga palët, në mënyrë që aktiviteti i biznesit të funksionojë në mënyrën më të mirë të mundshme.

Disa persona janë më emocione negative, kanë personalitet gjenetik konfliktuoz, mbikëqyrja e tyre kërkon angazhim shtesë sepse mund të kontaminojnë edhe rrethin ku ata punojnë.

Është e pamundur dhe as që duhet të mendohet që emocionet të eliminohen sepse janë pjesë e jetës njerëzore. Emocionet negative kanë potencial  të krijojnë sjellje irracionale dhe si pasojë, negocimi të marrë drejtimin e padëshiruar, të prishen marrëdhëniet ndërmjet palëve e ndoshta edhe të sjellë një konflikt të ri. Si emocione të këtij lloj mund të konsiderohen emocionet e frikës, zemërimit, turpit etj.

Hyrje

Biznesi është një aktivitet ekonomik ku përfshin shërbimet, prodhimin e mallrave, tregtimin e produkteve apo të shërbimeve me qëllim që të arrijë fitim. Nga aktiviteti ekonomik i bizneseve përfitojnë, pronarët e bizneseve, punëtorët, furnitorët, konsumatorët, shteti nga vjelja e taksave dhe e tatimeve, huadhënësit (bankat) etj., por në këtë zinxhir mund të ketë edhe shfaqje të konfliktit.

Në biznes personat përgjegjës vendimmarrës janë të detyruar të marrin vendime të caktuara për të mirën e funksionimit të biznesit. Në shumë raste vendimet që ata marrin për të realizuar objektivat e përcaktuara mund t’i prekin interesat e individëve të caktuar brenda biznesit apo jashtë tij, e nganjëherë ato vendime mund të prekin apo të krijojnë pakënaqësi te grupe të caktuara brenda biznesit apo organizatës. Mosmarrëveshjet, pakënaqësitë që mund të sjellin te konflikti, është gati e pamundur të eliminohen në tërësi, por është me rëndësi të krijohen rregulla dhe mekanizma për parandalimin e tyre dhe në rastet kur konflikti ndodh, ai duhet të gjejë zgjidhje në mënyrën më të mirë të mundshme dhe pikësynim duhet të jetë që rastet e tilla të mos përsëriten. Rregullat dhe kriteret duhet të jenë etike, të drejta, praktike dhe të qarta për t’u kuptuar.

Konflikti është një mosmarrëveshje e thellë, kundërshtim i interesave, situatë ku qëndrimet e palëve janë të kundërta, të tensionuara, ka acarim të marrëdhënieve, mungesë  tolerance, mungesë komunikimi, dallime të vlerave, qëllimeve, që mund të fillojë me mosmarrëveshje verbale dhe pastaj të devijojë në një ushtrim  force.

Me termin konflikt, u referohemi dallimeve të perceptuara të cilat sjellin si rezultat disa forma ndërhyrjeje ose kundërshtimi.

Konflikti është një dukuri që shpie në dhunë të organizuar të shkaktuar nga përfshirja e palëve, që kanë pozicione të papërputhshme për çështje të ndryshme, kanë qëndrim armiqësor dhe forma të caktuara veprimi diplomatik dhe ushtarak.

Ekzistenca e konfliktit si një dukuri jetësore është e lashtë sa dhe historia e njerëzimit.

Konflikti në biznes mund të ndodhë për një mori arsyesh, njësoj si në fushat e tjera të jetës. Konfliktet mund të kenë si shkak aspektin material, territorial, aspektin moral-etik, për shkak të dallimeve gjuhësore, kombëtare, fetare, gjinore, sociale, gjeneratave, racore, politike, ideologjike, kulturore apo aspekte të tjera. Në rastet kur mungon komunikimi profesional dhe i sinqertë ndërmjet individëve apo grupeve të caktuara brenda biznesit, mund të shkaktohen mosmarrëveshjet apo konflikti.

Konflikti ndërmjet palëve mund të jetë konflikt verbal ose konflikt fizik. Konflikti te palët e përfshira shkakton stres, i cili ka ndikim negativ në shëndetin mendor dhe atë fizik.

Konfliktet klasifikohen edhe në dy forma të tjera, bazuar në funksionalitetin e tyre: konflikte funksionale (pozitive) dhe konflikte jofunksionale (negative).

Konflikti dëmton apo ul dinjitetin dhe respektin, dëmton marrëdhëniet, shpenzon kohë të panevojshme, ul efektivitetin dhe produktivitetin, shkakton stres, dëme financiare dhe pasiguri.

Çdo konflikt duhet të jetë mësim dhe të ushqehet apo të mos ushqehet në mënyrë që të ndodhë apo të mos ndodhë përsëri.

Nivelet dhe llojet e konfliktit në biznes mund të jenë:

  • Individuale (konflikt ndërpersonal) ku konflikti ndodh ndërmjet individëve,
  • Grupor (konflikti brenda grupit-grupeve), kur konflikti ndodh brenda dhe ndërmjet grupeve.
  • Biznesi, kur konflikti ndodh brenda dhe mes biznesit, dhe përfshinë tërë biznesin në dimensionin vertikal ndërmjet drejtueseve dhe vartësve, dhe konflikt horizontal, që ndodh ndërmjet departamenteve dhe grupeve punuese të biznesit.

Konfliktet kanë disa nivele të paraqitjes, si: mospajtim, gjykim (akuzim), kërcënim, sanksionim, sulm fizik.

Shumë mosmarrëveshje dhe konflikte mund të zgjidhen me shpërblim e disa me ndëshkim.

Puna në biznes ka ngjashmëri me lojërat sportive ekipore, kur lojtarët bashkëveprojnë në mënyrën e duhur, pa konflikte negative, rezultatet janë përherë premtuese dhe arritje të fitoreve.

Aty ku emocionet janë negative ka mungesë të informatave, mosbesim, tension, konkurrencë joparimore, tensionim të gjendjes dhe konflikt të mundshëm.

Mënyra tradicionale e zgjidhjes së konfliktit këshillon përqendrim te detyrat duke u shmangur çështjen e marrëdhënieve.

Konfliktet etike në biznes

Konfliktet etike në biznes paraqesin një formë të gabuar të sjelljes ku thyhen parimet etike, ku ka mashtrim, pandershmëri, manipulim, shkelje të konfidencialitetit etj. Konflikti etik ndodh kur merret një vendim i cili mund të jetë i paligjshëm, i ndikuar politikisht, i padrejtë për një palë të tretë. Sjellje joetike mund të bëjë edhe një punëtor i cili në vend se të bëjë punët që i janë deleguar, ai loz lojëra kompjuterike, shpërndan sekretet e biznesit apo bën shkelje të tjera.

Rastet më të shpeshta të sjelljes joetike të bizneseve kanë të bëjnë me evazionin fiskal,  mashtrimet e klientëve, shkeljet e sigurisë në punë etj.

Menaxhimi në biznes duke u bazuar në rregulla, standarde, të drejta apo parime etike zvogëlon mundësinë e shfaqjes së konflikteve të natyrave të ndryshme. Menaxhimi i shkeljeve disiplinore dhe i ankimimeve duhet të bëhet duke i trajtuar me dinjitet personat e përfshirë, duke u mbështetur mbi bazat etike të biznesit dhe në asnjë mënyrë të mos krijohet hapësirë për konflikte.

Etika në biznes përkufizohet si shkencë e cila studion moralin, shkencë që studion sjelljet e njerëzve, shkencë e cila merret me normat, rregullat dhe ligjet e një shoqërie.

Të gjitha format e diskriminimit, si: diskriminimi seksual, racor, kombëtar, politik, fetar,  gjinor, statusit martesor, social, diskriminimi sipas invaliditetit, diskriminimi sipas moshës përbëjnë mospranim të diversitetit dhe shkelje të etikës në biznes dhe gjithashtu mundësi ose burim  konflikti.

Disa nga rastet më të shpeshta ku mund të paraqitet konflikti në biznes

Është me rëndësi të dihet burimi i konfliktit të mundshëm në mënyrë që ai të parandalohet.

Konflikti mund të shfaqet për shkak të dallimeve apo preferencave fetare, etike apo politike.

Konflikti për pushtet lind atëherë kur palët mundohen ta rrisin ndikimin në procesin e vendimmarrjeve.

Konflikti mund të  ketë burim aspektin material (ekonomik), që përfshin konkurrencën për të zotëruar burime monetare, njerëzore apo hapësirë.

Konflikti për shkak të famës, ndodh kur një person dëmton imazhin e personit tjetër duke thënë gjëra të vërteta apo të pavërteta me qëllim që të ulë popullaritetin e tij.

Konflikti i interesit është rasti kur personi dëshiron të arrijë qëllimet dhe përfitimet personale duke keqpërdorur pozitën e vet, duke dëmtuar interesat e biznesit apo të personave të tjerë.

Konflikti ndërpersonal, kur palët kanë qëllime, nevoja, sjellje të ndryshme ndërmjet tyre.

Konflikti për shkak të përkufizimit të paqartë të përgjegjësisë

Pasi të keni njohuritë e duhura se nga mund ta ketë burimin konflikti, do të jeni më  kompetent për ta trajtuar atë. Para se të veprojmë duhet të analizojmë faktorët që ndikojnë në shfaqjen e konfliktit e pastaj të përzgjedhim mënyrat  më efikase me të cilat mund të reagojmë dhe menaxhojmë konflikin. Nëse intervenohet me kohë, mundësia për të zgjidhur konfliktin do jetë më efikase.

Disa nga rastet më të shpeshta ku mund të paraqitet konflikti në biznes janë:

  • Konflikti ndërmjet aksionarëve apo ortakëve në biznes,
  • Konflikti ndërmjet punëdhënësve dhe punëmarrësve,
  • Konflikti ndërmjet punëmarrësve brenda një organizate,
  • Konflikti ndërmjet menaxherëve dhe punonjësve,
  • Konflikti ndërmjet ndërmarrjeve apo kompanive të ndryshme e sidomos në rastet kur kompanitë janë konkurrente ndërmjet tyre,
  • Konflikti ndërmjet bizneseve dhe medieve,
  • Konflikti biznes-organet-institucionet shtetërore,
  • Konflikti ndërmjet kreditorit dhe debitorit (borxhliut),
  • Konflikti ndërmjet prodhuesit, krijuesit apo ofruesit të produktit a shërbimit dhe konsumatorit.

Konflikti ndërmjet aksionarëve apo ortakëve në biznes

Konflikti ndërmjet aksionarëve apo ortakëve në një biznes mund të ndodhë kur ndërmjet tyre mungojnë besimi, korrektësia, kur ekzistojnë keqkuptimet, keqpërdorimet nga ndonjëri prej tyre, mospërcaktimi i saktë i detyrave, i  mënyrës së vendimmarrjes apo përgjegjësive në biznes.

Aksionarët në shumë raste bëjnë përpjekje për të dominuar me rastin e marrjes së vendimeve me qëllim të realizimit të interesave të tyre personale, gjë që mund të shpjerë në konflikt.

Konflikti ndërmjet aksionarëve apo ortakëve mund të lindë në rastet kur ka mospajtime me rastin e përzgjedhjes së stafit për kryerjen e detyrave të caktuara apo me rastin e përjashtimit nga puna të ndonjë personi që aksionari tjetër nuk pajtohet. Këtu mund të bëjë pjesë edhe “konflikti i interesit”, i cili mund të manifestohet në forma të ndryshme duke filluar nga përpjekja për ta “kapur” biznesin, dhënia e favoreve personave të afërt etj.

Në shumë raste aksionarët, për shkak se nuk arrijnë të gjejnë gjuhë të përbashkët, vendosin të ndajnë biznesin apo kapitalin e krijuar gjatë viteve. Ky vendim sjell në shumicën e rasteve mosmarrëveshje dhe konflikte edhe më të theksuara.

Konflikti mund të paraqitet rreth asaj se cili do ta trashëgojë emrin, produktet apo shërbimet e biznesit, si do të bëhet ndarja e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme dhe të mirave të tjera material të krijuara deri në ato momente.

Konflikt mund të sjellë edhe mosmarrëveshja se si do bëhet ndarja e obligimeve-detyrimeve (llogaritë e pagueshme), të hyrave që pritet t’i inkasojë biznesi në të ardhmen (llogaritë e arkëtueshme), pra, të hyrat që janë krijuar nga biznesi deri në ato momente.

Nëse sjelljet e aksionarëve do të jenë racionale, mosmarrëveshjet apo keqkuptimet e rastit tejkalohen me më pak vështirësi dhe njëkohësisht parandalohet konflikti.

Statuti i biznesit është një rregullore e cila mund të ndihmojë në parandalimin e konfliktit, por edhe nëse ai ndodh, që t’i japë zgjidhje atij.

Konflikti ndërmjet punëdhënësve dhe punëmarrësve

 Nëse udhëheqësi gabon në përcaktimi i vizionit, qëllimit, në zgjedhjen dhe seleksionimin e stafit me rastin e punësimit dhe në përcaktimin e saktë të detyrave të punës që në fillim, do ushqehet një vatër e konfliktit të mundshëm. Në ditët e sotme, si pasojë e mosmarrëveshjeve dhe konflikteve punëdhënës-punëmarrës, është rritur numri i çështjeve gjyqësore me pretendimin për shkelje të rregullave të biznesit apo për diskriminim. Gjithmonë do të ketë arsye që biznesi apo organizata të ndërmarrë masa formale disiplinore ndaj të punësuarve për shkeljet që ata do bëjnë në vendin e punës. Interesat e punëmarrësit dhe të punëdhënësit në shumë raste janë përbashkëta e në disa raste, kur kemi të bëjmë me shpërndarjen pagës dhe të fitimit, janë të kundërta

Konflikti ndërmjet punëdhënësit dhe punëmarrësit mund të ndodhë në shumë raste. Konfliktet zakonisht ndodhin edhe për shkak të mospërcaktimit me kohë dhe në mënyrën më të mirë të mundshme të përpilimit të kontratës së punës. Në shumë raste mënyra e realizimit të objektivave të biznesit nuk përputhet me mentalitetin e personave që duhet ta realizojnë ato objektiva.

Rastet më të zakonshme të konflikteve apo mosmarrëveshjeve të kësaj natyre janë ato kur:

– Punëdhënësi nuk arrin ta bëjë pagesën e pagës në shumën e përcaktuar me kontratë, të pagesës së kontributeve, sigurimeve shëndetësore, pagesës së bonuseve apo formave të tjera të shpërblimit.

Rezultatet e pyetësorit tregojnë që  mesatararisht 37 për qind e fuqisë totale punëtore të punësuar nuk është ligjërisht e deklaruar.

-Për shkak të informalitetit që punëdhënësi vepron me punëmarrësin ku e angazhon në detyrat e caktuara pa bërë kontratë pune dhe kështu bënë evazion fiskal dhe njëkohësisht edhe shkeljen e të drejtave të punëmarrësit.

-Në rastet kur punëdhënësi keqpërdor pozitën apo hierarkinë dhe bën ngacmime, frikësime apo kërcënime në ambientet e punës, të cilat ndikojnë në probleme të shëndetit mendor, si depresioni dhe ankthi.

-Në rastet kur u caktohet ndonjë pozitë më e ulët e punës sesa ajo ekzistuese.

-Në rastet kur i shqiptohet ndonjë ndëshkim disiplinor apo ndalesë financiare nga ana e punëdhënësit ndaj punëmarrësit për shkak të ndonjë vjedhjeje për përfitim personal, keqpërdorim, moszbatim i vendimeve, mos raportim, shkeljeve disiplinore, apo shkelje të natyrave të tjera që punonjësi ka bërë.

– Në rastet kur nuk u jepet mundësi e barabartë punëmarrësve për të shfaqur aftësitë dhe ambiciet e tyre. Pra, bëhet shkelje, diskriminim e konceptit të shanseve të barabarta të punësimit, u pamundësohen shanset për rritje personale dhe zhvillim.

-Në rastet kur kërkohet të bëhen veprime “joligjore” për të arritur një qëllim për interes të punëdhënësit apo ato veprime shkelin rregullat e mbrojtjes në punë.

-Në rastet kur vendimmarrësit në biznes kanë ide të reja, kërkojnë ndryshime për  arritjen e qëllimeve të biznesit, por disa nga punëmarrësit u rezistojnë ndryshimeve sepse u frikësohen atyre.

Në kontratën e punës duhet të përcaktohen saktësisht dhe në mënyrë specifike detyrat dhe obligimet e ndërsjella të palëve. Secili biznes për të arritur objektivat e veta do të duhej përcaktonte kriteret dhe mënyrën se si të arrihen ato dhe gjithashtu të bënte vlerësimin e performancës për stafin e vet. Me të gjitha rregullat duhet të jenë të familjarizuar stafi i biznesit apo i organizatës, që ato të jenë të matshme dhe të arritshme.

Konflikti ndërmjet punëmarrësve brenda një biznesi apo organizate

Konflikti ndërmjet punëmarrësve në biznes zakonisht ndodh në rastet kur nuk u janë definuar detyrat e punëve në mënyrë specifike për secilin nga punëmarrësit, në rastet kur ka performancë të dobët, shmangie nga kryerja e detyrave dhe lënia e tyre kolegut-es për t’i kryer.

Mungesa e komunikimit cilësor, mungesa e tolerancës, paraqitja e dallimeve në personalitet ndërmjet stafit në biznes, dallime të tjera, mungesa e etikës, shkakton gjithashtu konfliktin.

Komunikimi jo i duhur, stereotipat, paragjykimet dhe niveli i ulët i edukimit gjithashtu mund të jenë shkaktarë të konflikteve ndërmjet punonjësve në biznes apo organizatë.

Konfliktet mund të ndodhin ndërmjet individëve të caktuar dhe në këto raste është më i lehtë menaxhimi dhe arritja e një pajtimi midis atyre individëve. Në këto raste kolegët e punës mund të japin kontributin e tyre dhe konflikti të mos eskalojë.

Konflikti mund të ndodhë edhe ndërmjet grupeve të ndryshme në një biznes apo organizatë. Në këto raste menaxhimi dhe arritja e pajtimit është më e vështirë dhe si i tillë konflikti mund të lërë pasoja për pjesëmarrësit në atë konflikt, por edhe për biznesin apo organizatën në përgjithësi.

Konfliktet të cilat ndodhin në mes të punëmarrësve brenda një biznesi apo organizate në të shumën e rasteve për zgjidhjen e tyre merren menaxherët të cilët janë përgjegjës për ta.

Nëse punëmarrësit arrijnë objektivat e deleguara nga biznesi, por kanë personalitete që nuk përshtaten në mes vete, atëherë si zgjidhje mund të jetë edhe ndërrimi i vendit të punës brenda biznesit. Është njësoj sikurse flaka e baroti të jenë afër dhe të mos llogarisim në një shpërthim.

Trajtimi i konflikteve që lindin në vendin e punës dhe zgjidhja në mënyrën më adekuate është një nga sfidat më të mëdha me të cilat ballafaqohen menaxherët dhe punonjësit e biznesit.

Diversiteti i forcës punëtore ka një sërë avantazhesh të dukshme. Është e qartë se shumëllojshmëria e lartë mund të sjell vizione shumë të dobishme për shitjen e mallrave në një bazë të larmishme klientësh.

Ambientet e punës është më mirë të krijohen në atë mënyrë që të kenë pamje të dukshme, transparente e nëse kërkohet të vendosen edhe kamerat e sigurisë. Menaxherët si ndërmjetësues në konflikt duhet të mos mbajnë anë, të jenë  neutralë dhe parimorë.

Konflikti ndërmjet menaxherëve dhe punonjësve

Konflikti ndërmjet menaxherëve dhe punonjësve te bizneset e mesme dhe të mëdha zakonisht ndodh për shkak të mospërcaktimit adekuat, të shkruar të detyrave dhe të përgjegjësive në punë apo mundësisë apo mangësisë së ligjeve dhe të procedurave të cilat rregullojnë proceset, marrëdhëniet ndërpersonale apo marrëdhëniet me klientët. Si nxitës të konfliktit mund të jenë: produktiviteti i ulët, mungesa në punë, motivimi i ulët, organizimi i grevave si formë e shprehjes së pakënaqësive, komunikim i dobët, mungesë e tolerancës, energji negative etj.

Në disa raste konflikti apo mosmarrëveshja mund të ndodhë për shkak të mënyrës së kalkulimit të pagës, vlerësimit të performancës,  apo kompensimit për punën që ata bëjnë.

Në disa raste konflikti ndodh për shkak të keqpërdorimit të pozitës nga menaxherët, ku kemi shkeljen e të drejtave të punonjësve duke mos respektuar ligjin e shanseve të barabarta në mënyrë që punonjësit të trajtohen në mënyrë të barabartë në vendin e punës.

Në disa raste menaxherët, për të realizuar objektivat e biznesit, mund të kërkojnë nga punonjësit që janë nën menaxhim, të përdorin veprime apo sjellje joetike. Burim konflikti mund të jetë marrja e lejes kur punonjësi ka familjarë të sëmurë, kur punonjësi shkel kodin i veshjes, bën ngacmime apo kërcënime në raport me kolegët në vendin e punës, abuzon duke shkaktuar shpenzime të panevojshme financiare, si: materiale të ndryshme, telefon, derivate etj. në dëm të biznesit. Përcaktimi i saktë i pasojave nëse bëhen shkeljet e caktuara ndihmon në parandalimin e shkeljeve dhe të  konflikteve. Menaxheri duhet ta trajtojë punonjësin me respekt, të dëgjojë opinionin e tij e pastaj të i shprehë këndvështrimin e tij, për nevojat, ndjenjat dhe qëllimin.

Për të parandaluar konfliktet apo menaxhuar ato, menaxherët së pari duhet të kenë njohuri dhe përgatitjen e duhur profesionale në fushën e menaxhimit të biznesit, udhëheqjes (lidershipit), të menaxhimit të burimeve njerëzore, komunikimit, negocimit, delegimit, motivimit etj. Ata duhet të marrin parasysh ndikimin e ndryshimeve bashkëkohore globale dha t’u përshtaten atyre ndryshimeve.

Në shumë biznese bëhet edhe vlerësimi i performancës në cikël të plotë ose 360 gradë ku punonjësit mund të japin vlerësimin e tyre për menaxherët apo supervizorët e tyre.

Konflikti ndërmjet ndërmarrjeve apo kompanive konkurrente

Konflikti ndërmjet kompanive konkurrente në biznes zakonisht ndodhin në rastet kur konkurrenca është jolojale dhe ka keqkuptime midis bizneseve. Në disa raste  ndodh që bizneset të garojnë ndërmjet tyre duke zbritur çmimet e produkteve vetëm e vetëm për ta eliminuar nga tregu palën konkurrente.

Në disa raste palët shpërndajnë informata që dëmtojnë palën tjetër konkurrente.

Në rastet kur kemi mosmarrëveshje apo konflikte ndërmjet bizneseve, atëherë janë ndërmjetësuesit, gjykatat, odat ekonomike, përmbaruesit privat ata që mundohen t’i zgjidhin ato.

Bizneset mund të kenë mosmarrëveshje ndërmjet tyre, të konsiderojnë palën tjetër si konkurrente por në anën tjetër ekzistojnë shumë mundësi për bashkëpunim dhe përfitime të ndërsjella. Ato mund të grupohen gjithashtu në shoqata dhe oda ekonomike për t’i realizuar qëllimet e tyre.

Konflikti ndërmjet bizneseve dhe medieve

Në shumë raste bizneset janë temë e medieve, qofshin ato elektronike apo të shkruara (televizione, radio, portale elektronike, medie sociale, gazeta etj.) . Në disa raste mediumi i caktuar bën lëvdata apo promovimin e produkteve apo të shërbimeve të biznesit të caktuar. Në shumë raste gjërat pozitive për biznesin bëhen duke i sponsorizuar ato shkrime për  biznesin. Në shumë raste mediet, për të krijuar lajm, për të realizuar klikime, bëjnë publikimin e ndonjë lajmi të vërtetë apo të fabrikuar i cili mund ta dëmtojë biznesin. Në disa raste disa nga mediet me shkrimet e tyre në një formë i mbajnë të shantazhuara bizneset vetëm e vetëm për të përfituar financiarisht nga to, duke ua reklamuar atyre produktet apo shërbimet.

Disa nga mediet mund të kenë anime politike, informatat të mos jenë të balancuara dhe kështu mund t’i atakojnë pa të drejtë bizneset që nuk kanë ngjyrim politik të njëjtë me ta.

Sponzorizimi i marketingut në një medie të caktuar konsiderohet armiqësore nga media konkurrente. Të gjitha këto forma janë burim i konfliktit ndërmjet biznesit dhe medies. Forma më e mirë është që të mbahen raporte të mira me mediet duke mos u përcaktuar vetëm për njërën nga to.

Nëse është një shumë e përcaktuar buxheti për marketing ajo do ishte mirë të shpërndahej nëpër disa medie.

Konflikti biznes-organet-institucionet shtetërore

Për të monitoruar mbarëvajtjen e aktivitetit të bizneseve që ato të mos bëjnë evazion fiskal, si dhe për të monitoruar cilësinë e produkteve apo të shërbimeve përkujdesen disa institucione shtetëror, si: Dogana, Administrata Tatimore, inspektorët sanitarë, veterinarë, të punës, të tregtisë, inspektorët për krime ekonomike etj. Në disa raste bizneset bëjnë shkelje e në disa raste personat e papërgjegjshëm nga këto institucione keqpërdorin pozitën zyrtare me qëllim të përfitimit personal.

Në shumë raste edhe procedurat përzgjedhëse të prokurimit të financuar nga buxheti i shtetit janë burim i shfaqjes së pakënaqësive dhe konflikt.

Në këto raste është i mundur lindja e konfliktit e cila mund të menaxhohet vetëm duke u bazuar në ligjet dhe parimet e drejta që shteti ka miratuar.

Konflikti biznes-politikë

Në shumë raste bëhet një përqendrim i pushtetit politik, mediatik dhe ekonomik në duart e një grupacioni të njerëzve. Njerëz të biznesit bëjnë përpjekje për të kontrolluar pushtetin politik e gjithashtu njerëz nga politika kontrollojnë biznese të rëndësishme e në shumë raste edhe i posedojnë ato. Njerëz nga politika zakonisht menaxhojnë prokurimin publik dhe favorizojnë bizneset që kanë lidhje partiake apo korruptime me ta.

Konflikti ndërmjet kreditorit dhe debitorit (borxhliut)

Konflikti ndërmjet kreditorit dhe debitorit ndodh zakonisht për arsyen kryesore që debitori (blerësi) nuk e përmbush pagesën sipas marrëveshjes ndaj kreditorit. Bizneset në këto raste mund të jenë në pozitën e kreditorit apo edhe të debitorit atëherë kur marin produkte nga bankat për të financuar biznesin.

Në disa raste, për shkak të dështimit në biznes, blerësi nuk arrin t’i përmbushë obligimet financiare ndaj palës që e ka furnizuar me produkte apo shërbime të caktuara. Mospërmbushja mund të jetë e paqëllimshme dhe vjen për shkak të vështirësive financiare që blerësi-debitori ka, por kemi raste kur kjo ndodh edhe qëllimisht nga persona që kanë një energji negative dhe dëshirën për përfitime të padrejta personale.

Konflikti mund të lindë edhe nga pakënaqësia për cilësinë e produktit apo shërbimit që kreditori ofron.

Për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të kësaj natyre përdoren tri forma:  ndërmjetësimi, arbitrazhi dhe proceset gjyqësore. Palët duhet të inkurajohen që të bëjnë zgjidhje të dobishme për ta lehtësuar procesin e zgjidhjes së konfliktit dhe t’i shikojnë situatat në mënyrë racionale.

Konflikti ndërmjet ndërmarrjes dhe konsumatorit

Konflikti mund të ndodhë ndërmjet prodhuesit, krijuesit apo ofruesit të produktit apo shërbimit dhe konsumatorit. Në rastet kur produkti apo shërbimi i caktuar nuk i përmbush kërkesat e blerësit dhe nga ai është inkasuar shuma e vlerës së atij produkti apo shërbimi, blerësi mund të jetë i revoltuar dhe të lindë konflikti. Në raste të caktuara produkti mund të jetë jofunksional, me afat të skaduar apo me ndonjë të metë tjetër që blerësin mund ta dëmtojë pasi  nuk i plotëson pritshmërtitë e tij. Ofruesi i produktit apo i shërbimit, me qëllim të maksimalizimit të profitit, mund të investojë më pak apo të mos e krijojë produktin apo shërbimin sipas standardeve të kërkuara. Pra, cilësia e produktit apo e  shërbimit duhet të korrespondojë me çmimin e ofruar. Në këto raste inspektorët e ndryshëm që merren me cilësinë e produktit dhe agjencioni për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve mund t’i japin zgjidhje problemit apo mosmarrëveshjes së caktuar.

Konflikti si pasojë e shfaqjes së dallimeve të gjeneratave, kombëtare, gjinore, fetare, racore, politike dhe kulturore

Në bizneset apo organizatat ku janë të punësuar individë me përkatësi të ndryshme kombëtare, fetare, racore apo kulturore mund të ketë pengesa në komunikimin e mirëfilltë dhe si pasojë edhe shfaqjen e mosmarrëveshjeve dhe të konflikteve. Zakonisht personat e një përkatësie të njëjtë shoqërohen, miqësohen dhe përkrahin idetë dhe aktivitetet e personave të grupit që i përkasin. Idetë, udhëzimet apo çfarëdo që vjen nga grupi tjetër pranohet me rezerva dhe nganjëherë, kur e vlerësojnë se janë kundër interesave të tyre afatshkurtra apo afatgjate, ata i kundërshtojnë në mënyrën individuale nëse kemi të bëjmë me individë dhe në mënyrën grupore kur ata janë në numër më të madh. Zakonisht edhe përkatësia politike, individët dhe grupet e të punësuarve brenda biznesit apo organizatës i bën të riorganizohen në një strukturë jozyrtare për të arritur qëllimet e veta përmes forcimit të strukturave organizative të partisë që i përkasin. Në disa raste organizimet e tilla  të një grupacioni bëhen nga frika dhe pasiguria që ndjejnë nga individët apo grupacionet e tjera. Këto dallime shpeshherë mund të sjellin mosmarrëveshje dhe konflikte brenda strukturave të biznesit apo më gjerë. Mungesa e kultivimit të mendimit pluralist dhe diversitetit pa dyshim sjell mosmarrëveshje dhe konflikte brenda dha jashtë ambienteve të biznesit.

Përcaktimi i kritereve të sjelljes, detyrave të punës, obligimeve dhe i përgjegjësive, përcaktimi i territorit, mjeteve të punës, kodit të veshjes, në vendin e punës janë veprime që ndihmojnë në parandalimin e konflikteve.

Mënyrat-teknikat për menaxhimin e mosmarrëveshjeve dhe të konfliktit

Së pari duhet të kuptohet shkaku i konflikteve funksionale (pozitive) dhe jofunksionale. Konfliktet funksionale janë konstruktive dhe të dobishme, ato lidhen me nevojat, interesat e përbashkëta, kur debatohen mënyra të ndryshme për arritjen e një qëllimi të përbashkët. Konflikti funksional duhet të ushqehet sepse kontribuon në arritjen e qëllimeve.

Te konfliktet jofunksionale kemi mosmarrëveshje, përplasje idesh dhe mendimesh që burimin e kanë në  xhelozi, frikë apo lakmi.

Mënyra më e mirë për të menaxhuar mosmarrëveshjet dhe konfliktet është hartimi i rregulloreve, statuteve, kontratave dhe akteve të tjera dhe këto të aplikohen nga individët në mënyrë që të evitohen mosmarrëveshjet ndërmjet tyre. Rregulloret, statutet, procedurat dhe marrëveshjet strukturojnë marrëdhëniet ndërpersonale, dhe marrëdhëniet në çdo nivel brenda biznesit apo edhe me klientët dhe palët e tjera. Edhe kodi moral në shumë raste është i rëndësishëm dhe parandalues i konflikteve. Konflikti mund të paraqiten për shkak të dallimeve kombëtare, fetare, racore, politike, gjinore, kulturore, orientimit seksual etj., prandaj në bazë të formave që manifestohet, duhet zgjedhura edhe mënyra për ta menaxhuar atë.

Në rastet kur mosmarrëveshjet apo konfliktet ndodhin, atëherë mënyra më e mirë është të ketë negocim ndërmjet palëve. Nëse raportet nërmjet palëve janë të acaruaranë, atëherë si rrugëdalje janë ndërmjetësimi, arbitrazhi, gjykatat ose përmbaruesit privat të licencuar.

Llojet e konflikteve

Konfliktet ndahen në dy grupe: në konflikt produktiv dhe konflikt destruktiv.

Te konflikti produktiv palët mundohen të gjejnë një zgjidhje reale dhe të pranuar edhe nga pala tjetër me qëllim të përfitimeve reciproke. Qëndrimi i personit është bashkëpunues me elemente të vetësakrificës për të kënaqur dëshirat apo shqetësimet e palës tjetër dhe me qëllim të ruajtjes së marrëdhënieve.

Te konflikti destruktiv palët mundohen për t’i arritur qëllimet e tyre në forma jop- arimore, duke përdorur mashtrimin, kërcënimin, me tendencë të përdorimit edhe të dhunës fizike.

Konflikti mund të manifestohet me në dy forma, si konflikt verbal dhe si konflikt fizik.

Konfliktet klasifikohen edhe në dy forma të tjera bazuar në funksionalitetin e tyre:

Konflikte funksionale (pozitive) të cilat mbështesin qëllimet apo objektivat e biznesit, mbajnë njësitë e biznesit të shëndetshme, janë kritike ndaj vetvetes, nxisin kreativitetin dhe inovacionin.

Konflikte jofunksionale (negative) të cilat pengojnë biznesin në arritjen e qëllimeve apo objektivave.

Pikëpamja tradicionale për konfliktin ka qenë se çdo konflikt është i dëmshëm, prandaj edhe duhet të shmanget me çdo kusht.

Mënyrat e reagimit dhe mënyrat për parandalimin dhe menaxhimin e konfliktit

Njerëzit kanë “stilet” e ndryshme të reagimit ndaj konfliktit në situatat konfliktuoze. Ato reagime në shumicën e rasteve janë spontane, mund të jenë në bazë të personit me të cilin përballet, situatës etj. Kurse strategjia në konflikt është sjellje me vetëdije dhe ka qëllim, dallon nga reagimi rutinor. Përzgjedhja e strategjisë më të efektshme dhe më dobishme konsiderohet si shkencë e menaxhimit të konfliktit.

Për të zgjidhur një konflikt, do të thotë kalimin e një procesi të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, duke adresuar interesat e palëve të përfshira dhe duke plotësuar të paktën disa nga nevojat e secilës palë. Zgjidhja e konfliktit mundësohet në disa raste duke u bazuar në pushtet (ndjekja e procedurave gjyqësore) e disa raste duke u bazuar në interesa, duke negociuar.

Faktori kryesor për menaxhimin e konfliktit është komunikimi. Si parakusht për një komunikim të suksesshëm është krijimi i besimit ndërmjet palëve. Komunikimi mundëson që të mos përshkallëzohet konflikti por ai të gjejë zgjidhje pasi  palët dëgjojnë kërkesat, shqetësimet dhe propozimet e palës tjetër. Disa nga strategjitë apo veprimet që zakonisht pala apo palët përdorin për tejkalimin e konfliktit janë:

Braktisja apo largimi nga konflikti kur kjo është e mundur, kur gjykohet se është rruga më e mirë pasi  shkaku i konfliktit do të sjellë pasoja e cilat do t’i lëndojnë me ndonjërën nga format. Kur pësoni vlerësohet si i rëndësishëm, çështja e parëndësishme bëhet tolerimi dhe pranohet ajo që kërkohet nga tjetri. Pra ruhet marrëdhënia por nuk arrihet qëllimi.

Shmangia e përkohshme, me qëllim për të mbledhur fakte, informacion apo përgatitur për ballafaqim pas një kohe të caktuar.

Shtyrja e përkohshme bëhet kur të dy palët pajtohen që përkohësisht ta shtyjnë negocimin me qëllimin për t’u relaksuar gjendja, por edhe me shpresën se pala tjetër do të qetësohet dhe do të reflektojë pozitivisht. Paraprakisht caktohet vendi i kontaktit dhe koha për të provuar përsëri.

Dominimi i situatës bëhet kur merret vendim i shpejtë, pasi  pala posedon faktet apo forcën, pala tjetër gjendet e papërgatitur dhe zakonisht një veprim i tillë mbështetet me forcë. Individët apo palët e përfshira në konflikt kanë dyshime për zgjidhjen e situatës dhe atë e shohin pa alternativë, nuk shohin interesa të përbashkëta. Kur personi është i parëndësishëm e çështja e rëndësishme, atëherë përdoret kundërshtimi i vendosur, lufta. Për të arritur qëllimet, dëmtohen marrëdhëniet. Dominimi apo detyrimi si rezultat ka zgjidhjen fitore-humbje.

Është shumë më vështirë të shndërrosh një marrëdhënie konkurruese, në një marrëdhënie bashkëpunimi, atëherë kur konflikti ka filluar të rritet.

Ndërmjetimi nga një palë e tret tek e cila të dy personat pjesëmarrës në konflikt kanë besim se do ndaj drejtësinë dhe këta do të mbeten me fytyrë edhe nëse nuk e fitojnë atë që kërkojnë.

Garimi është një formë kur palët pajtohen se një arbitër do vlerësoj, testojë aftësitë e tyre profesionale, intelektuale, fizike, kreativitetin etj.

Arbitrazhi, palët paraprakisht pajtohen dhe obligohen të pranojnë vendimin e arbitrit. Arbitrazhi kërkon dokumentacionin nga palët të cilat pranojnë këtë arbitrazh, si kontrata të tyre të bashkëpunimit, dokumentet e tjera, si faturat, fletëpagesat, barazimet vjetore etj. Odat e ndryshme ekonomike zakonisht kanë dhomën e arbitrazhit dhe ndihmojnë anëtarët e tyre për zgjidhjen e kontesteve.

Përdorimi i humorit, në rastet kur kjo është e mundur me qëllim të relaksimit të situatës por assesi  humori i cili mund ta acaroj edhe më shumë konfliktin.

Kompromisi si një mundësi ku palët japin diçka për të fituar diçka tjetër. Pra, asnjëra palë nuk përfiton as nuk humb në tërësi atë që synon por pjesërisht. Ata janë të obliguar të bëjnë lëshime. Te kompromisi ruhet marrëdhënia dhe arrihet pjesërisht qëllimi.

Bashkëpunimi me qëllim të gjetjes së opcioneve më të mira dhe të pranuara nga të dy palët duke u bazuar në fakte që garantojnë zbatimin e marrëveshjes me përfitime të dyanshme. Personi tjetër vlerësohet i rëndësishëm, çështja e rëndësishme, prandaj përcaktohet bashkëpunimi. Bashkëpunimi është kur palët duan një zgjidhje fitore-fitore. Integrimi i interesave apo i qëllimeve si një tërësi ku lihen anash dallimet dhe shikohen mundësitë dhe përfitimet e përbashkëta. Nga kundërshtarë palët bëhen aleatë për arritjen e qëllimeve të përbashkëta. Te bashkëpunimi kemi forcimin e marrëdhënieve dhe arritjen e qëllimit.

Parakusht për komunikim ndërmjet palëve është krijimi i besimit, i cili i shtyn palët të jenë më të sinqerta dhe të drejtpërdrejta.

Asnjëra nga metodat e lartcekura nuk është ideale, por në varësi të situatës duhet përdorur edhe forma adekuate për zgjidhjen e konfliktit duke u bazuar në interesat e palëve të përfshira në konflikt, vlerave dhe personalitetit të tyre.

Konkluzione

Përgjatë viteve në biznes zakonisht krijohet kapital dhe emër i mirë. Gjithashtu me kalimin e viteve dhe me rritjen e biznesit, edhe mënyra e menaxhimit në shumë raste mbetet e njëjtë dhe nuk përshtatet me rrethanat e reja të krijuara. Në rastet kur rritja e biznesit nuk menaxhohet në përputhje me standardet dhe rrethanat e reja, mund të shkaktohen mosmarrëveshje në nivelet e ndryshme, të cilat shpeshherë mund të sjellin konflikte me pasoja të pakthyeshme.  Bizneset  në shumë raste dërgojnë stafin nga nivelet e ndryshme e sidomos menaxherët për trajnime profesionale, që kanë  taë bëjnë me trajtimin e stafit në biznes. Ato mund të jenë trajnime nga fusha e burimeve njerëzore e deri trajnime për komunikim në përgjithësi. Në disa raste në dëmtimin e mosmarrëveshjeve dhe dëshirës për t’u konfrontuar ndikojnë përbërja gjenetike e ndonjërit prej individëve. Një nga rastet e vërtetuara në mënyrë shkencore tregon se këta janë personat që kanë qenë binjakë njëvezor (në në placentën e njëjtë). Në këto raste personat e tillë që nga barku i nënës bëjnë një sjellje konkurruese për të mbizotëruar dhe konflikti lind nga aty dhe mund të jetë me fatalitet për “konkurrentin e tij”.

Mosmarrëveshjet dhe konfliktet janë pengesa kryesore në arritjen e produktivitetit dhe sukseseve të tjera në biznes në përgjithësi.

Zemërimi zakonisht shkaktohet nga perceptimi se rregullat janë shkelur dhe ka rrezik të mbizotërojë pala tjetër pasi ndihen të pambrojtur nga rregullat apo janë të provokuar, ushtrim të paligjshëm të autoritetit nga pala tjetër etj.

Personat që janë optimistë, të motivuar dhe pozitivë, më lehtë dhe më mirë i menaxhojnë mosmarrëveshjet dhe konfliktet, kurse ata që janë dekurajues dhe pesimistë zakonisht janë fara e problemit, e mosmarrëveshjeve dhe e konfliktit, prandaj si të tillë duhet të mbahen në distancë.

Rekomandime

Mosmarrëveshjet e ndryshme ndodhin në vazhdimësi, në raste të rralla apo më të shpeshta, por duhet krijuar rregulla, parime në mënyrë që proceset apo aktiviteti biznisor të mos ketë ngecje dhe të parandalohen konfliktet. Për të evituar çdo mosmarrëveshje apo konflikt, kudo me rastin e përpilimit të kontratave, të themelimit të biznesit, themelimit të marrëdhënies së punës për punonjësit, kontratave të shit-blerjes me klientët dhe kudo tjetër të definohen përgjegjësitë dhe obligimet e palëve gjatë procesit të punës. Detyrat e punës duhet të jenë të definuara mirë, të matshme, të arritshme, të drejta, në mënyrë që të mos  ketë shkelje apo tendencë për keqkuptime.

Ndaj secilit individ që shkel ose nuk i zbaton rregullat duhet të merren masa disiplinore, por duke dhënë mundësinë për ndërtimin e një sistemi apo mekanizmi ankimor të brendshëm në mënyrë që të bëhet zgjidhja e konflikteve.

Në rastet kur kemi dallime të çfarëdo natyre ndërmjet stafit, atëherë trajnimet e ndryshme me qëllim të fitimit të njohurive për individët apo grupet e tjera dhe trajnime me temën toleranca do të ndihmonin  në parandalimin e konflikteve. Bizneset duhet të kenë programe, seminare, trajnime me qëllim për të nxitur diversitetin në forcën punëtore.

Përzgjedhja e stafit adekuat, me personalitete jokonfliktuoze, caktimi në ekipin ku ata mund të përshtaten dhe krijimi i ambientit të punës ku do kishte transparencë e nëse kërkohet, edhe vendosja e kamerave të sigurisë, do ndihmonte në parandalimin e konflikteve.

Gjithashtu, të përcaktohen institucionet apo gjykatat që do t’i zgjidhin mosmarrëveshjet  duke u bazuar në rregullat e biznesit, rregullat lokale apo ato globale. Tanimë bizneset në mbarë botën po gjejnë tregje të reja dha zgjerim të aktiviteteve të tyre globale.

Negocimi është mënyra më e mirë dhe çelësi për të zgjidhur mospajtimet në jetën e përditshme apo biznes. Rekomandohet që negocimi, çdoherë kur është e mundur, të jetë parimor, të bazohet në standarde objektive dhe të merren në konsideratë interesat e palëve. Palët duhet të ndihen të vlerësuara dhe në asnjë mënyrë të fyera apo të nënçmuara. Mospajtimet apo interesat për ndërveprim njerëzor në ditët e sotme janë si asnjëherë më parë. Negocimi duhet të jetë parimor, sepse marrëdhënia ndërmjet palëve çdoherë do të avancohen në një nivel më të lartë, dhe marrëveshja, që do të pasojë, do të ketë vlerë më të madhe, kurse konfliktit as që duhet të jepet mundësia më e vogël që të ndodhë.

Një qasje e duhur nga personat vendimmarrës dhe personat e tjerë është largpamësia kundrejt konfliktit dhe menaxhimi i tij me profesionalizëm.

Diversiteti nuk duhet të jetë element për paragjykime dhe diskriminim, por të konsiderohet si një vlerë, pasuri dhe mundësi për të arritur përfitime për biznesin.

Të mos lejohen shpifjet, shantazhet dhe kërcënimet asnjëherë, në asnjë mënyrë, në asnjë nivel të biznesit.

Nëse duhet të shpifësh për dikë, mos fol, por shkruaj në rërë, në breg, afër ujit! /PCWorld Albanian