Komuniteti ndërkombëtar mbështet ndryshimet në Zimbabve

E publikuar: 23/11/2017 21:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-nënpresidenti i Zimbabves, Emmerson Mnangagwa, i cili u largua nga frika për jetën dy javë më parë, pasi u shkarkua nga Presidenti Robert Mugabe është kthyer në vend dhe po premton një “demokraci të re dhe në zgjerim”, siç ai e ka quajtur ai. Ndërsa banorët e Zimbabves përgatiten për ceremoninë e betimit që ai bën nesër, Britania, Gjermania, Kina dhe vende të tjera po premtojnë ta ndihmojnë vendin të ecë përpara.

Ndërkohë që titujt e gazetave po shënojnë fundin e epokës së Presidentit Mugabe, banorët e Zimbabves tashmë po shohin drejt së ardhmes.

“Ajo që ndodhi tashmë i përket së kaluarës, ajo që na duhet është ta falim njëri-tjetrin, ta ndërtojmë këtë vend përsëri dhe të sjellim rendin dhe unitetin”, thotë ky banor i Zimbabves.

“Udhëheqja e re duhet të krijojë vende pune dhe mundësi. Ne nuk presim që udhëheqja e re të jetë e korruptuar, dhe të zhgënjejë njerëzit”, thotë kjo banore e Zimbabves.

Ish-nënpresidenti Emerson Mnangagwa u tha mbështetësve në Harare të mërkurën se ai ka nevojë për ndihmë jo vetëm nga banorët e Zimbabves, por nga të gjithë pasi ai të bëjë betimin si president.

“Ne kemi nevojë për bashkëpunim me kontinentin e Afrikës. Ne kemi nevojë për bashkëpunimin me miqtë tanë jashtë kontinentit. Unë tashmë kam marrë mesazhe për bashkëpunim dhe mbështetje për ne që të rrisim ekonominë tonë”.

Ndërsa vendi përgatitet për ceremoninë e betimit të presidentit të ri, bashkësia ndërkombëtare është duke premtuar mbështetje për një kurs të ri pas sundimit të Robert Mugabes që ka lënë ndasi të shumta në vend.

“Ne, së bashku me partnerët tanë në Evropë, Afrikë dhe ata në komunitetin ndërkombëtar, jemi gati të mbështesim Zimbabven në rrugën e saj drejt një të ardhmeje të re”, tha zëdhënësja e ministrisë së jashmte gjermane, Maria Adebahr.

Kryeministrja britanike Theresa May i tha parlamentit se Britania do të bëjë gjithçka që mundet për të mbështetur ndryshimin.

“Ne duam të shohim një Zimbabve demokratike, të lirë dhe të sigurt, ku njerëzit nga të gjitha komunitetet në mbarë vendin do të jenë në gjendje të jetojnë dhe punojnë pa frikë, pa shtypje dhe ne duam që Zimbabveja përsëri të bëhet pjesë e bashkësisë ndërkombëtare”.

Kina, e cila gëzonte marrëdhënie të ngushta me Zimbabven nën sundimin e Mugabes, tha se Pekini beson në aftësinë e popullit të Zimbabvesë për të ruajtur stabilitetin politik të vendit.

“Si një mike e mirë e Zimbabvesë, Kina vlerëson lart të gjitha partitë në Zimbabve që marrin në konsideratë interesat afatgjata dhe themelore të vendit për zgjidhjen e problemeve në mënyrë paqësore dhe si duhet përmes dialogut”, tha zënëdhënësi i ministrisë së jashtme kineze, Lu Kang.

Zyrtari kinez përshëndeti punën e ish-presidentit të Zimbabves, duke thënë se Mugabe përmirësoi marrëdhëniet Kinë-Afrikë.

Ndërkohë, vende të tjera, përfshirë ato afrikane dhe Shtetet e Bashkuara, kanë shprehur mbështetjen e tyre për tranzicionin në Zimbabve.