Komuniteti ndërkombëtar dënon provën e Koresë së Veriut

E publikuar: 29/11/2017 18:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Koreja e Veriut njoftoi sot se kishte testuar me sukses një raketë të re balistike ndërkontinentale e cila mund të arrijë edhe Shtetet e Bashkuara. Ky hap është dënuar nga Shtetet e Bashkuara dhe komuniteti ndërkombëtar, ndërkohë që Presidenti amerikan Donald Trump tha sot se ndaj Koresë së Veriut do të vihen “sanksione të ashpra”.

Presidenti amerikan Donald Trump tha sot se ndaj Koresë së Veriut do të vihen “sanksione të ashpra”. Sipas ekspertëve, raketa e re balistike ndërkontinentale e testuar dje, duket se ka aftësi për të goditur Shtetet e Bashkuara. Në një postim sot në rrjetin Twitter, Presidenti Trumë tha se kishte folur me presidentin kinez rreth “veprimeve provokuese” të Koresë së Veriut.

“Presidenti Trump theksoi vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara për të mbrojtur veten dhe aleatët ndaj kërcënimit në rritje që përbën regjimi i Phenianit”, thuhet në një dekleratë të publikuar nga Shtëpia e Bardhë pas telefonatës me presidentin kinez.

Koreja e Jugut reagoi brenda pak minutash ndaj provës së Koresë së Veriut me raketë balistike ndërkontinentale. Ajo hodhi raketa me rreze të shkurtër veprimi drejt detit dhe paralajmëroi se çdo llogaritje e gabuar e Phenianit mund të çonte në goditje parandaluese kundër tij. Daniel Pinkston është analist në Universitetin Troy në Seul.

“Është çështje shumë serioze dhe shqetësuese. Çdo argument për luftë parandaluese kundër Koresë së Veriut duhet të qendrojë mbi argumentin se Koreja e Veriut nuk mund të shmanget, dhe kjo është gabim. Koreja e Veriut mund të shmanget.”

Presidenti i Koresë së Jugut Moon Jae-in tha se veprimi i Phenianit rrezikon paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.

“Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara, sëbashku me komunitetin ndërkombëtar, nuk kanë zgjidhje tjetër përveçse të vazhdojnë me presion të fuqishëm dhe sanksione.”

Kryeministri japonez Shinzo Abe thirri një takim emergjent të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ndërsa kostoja për Korenë e Veriut mund të rritet, analistët thonë se ajo nuk do të heqë dorë nga programet për armët bërthamore dhe raketat.

“Këto aftësi nuk janë diçka që mund të hiqen përmes negociatave. Janë pjesë e identitetit dhe politikave të tyre të sigurisë kombëtare. Të gjitha rezolutat e Kombeve të Bashkuara ata i shohin si të paligjshme dhe Pheniani do të vazhdojë të sfidojë këto rezoluta dhe komunitetin ndërkombëtar”, thotë analisti Daniel Pinkston.

Pheniani thotë se ka nevojë për një element të fuqishëm frenimi për të parandaluar një sulm nga Shtetet e Bashkuara.