“Komunat kanë pasur komunikim relativisht të mirë me nivelin qendror”

E publikuar: 06/05/2020 13:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Aleanca e katër organizatave joqeveritare (Syri i Vizionit, Communication for Social Development (CSD), EC Ma Ndryshe dhe Demokraci Plus (D+) për zbatim të programit “Qytetaria aktive dhe komunat përgjegjëse në Kosovë” ka realizuar hulumtimin rreth mënyrës se si komunat e Kosovës i janë përgjigjur dhe si janë ballafaquar me gjendjen e krijuar me pandeminë COVID-19, ndërsa sipas tyre, komunat janë janë ballafaquar relativisht mirë me pandeminë COVID-19.

Hulumtimi është kryer me pyetësor online me 22 pyetje, i cili është dërguar te të gjitha 38 komunat e Kosovës. Prej tyre, 32 komuna janë përgjigjur, derisa 6 sosh nuk kanë ofruar përgjigje për këtë hulumtim.

Gjetjet e këtij hulumtimi çojnë te përfundimi se komunat e Kosovës, duke i marrë parasysh kapacitetet dhe buxhetin e tyre, janë ballafaquar relativisht mirë me situatën e krijuar me pandeminë COVID-19.

Sipas këtyre gjetjeve, komunat kanë pasur komunikim relativisht të mirë me nivelin qendror dhe me qytetarët e vet, të cilët në masë të madhe i kanë respektuar masat e Qeverisë së Kosovës.

“Krejt kjo ka ndikuar që numri i të infektuarve dhe rasteve fatale në krahasim me shtetet e rajonit apo edhe më gjerë të jetë relativisht më i ulët”, thuhet në njoftim.

Megjithëkëtë sfidat kryesore me të cilat komunat e Kosovës ende ballafaqohen janë: mungesa e mjeteve financiare nga niveli qendror për pajisje shtesë mbrojtëse në luftimin dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19; mungesa e numrit më të madh të testeve rreth rasteve të dyshimta për COVID-19; rritja e numrit të familjeve me gjendje ekonomike të rënduar dhe kërkesat e shtuara për pako ushqimore dhe higjienike; mbyllja e shumë bizneseve private; shqetësimet nga sektori i bujqësisë; paqartësitë rreth lejeve të qarkullimit për qytetarë e biznese nga MPBAP; paqartësitë rreth funksionimit të llojeve të ndryshme të bizneseve nga MEPTINIS; numri i vogël i inspektorëve komunal.

Këto organizata kanë rekomanduar që: niveli qendror, lokal dhe shoqëria civile të punojnë në vetëdijesimin e vazhdueshëm të qytetarëve rreth respektimit të masave parandaluese dhe zbutjen e pasojave te pandemisë; Qeveria e Kosovës të hartojë një pako gjithëpërfshirëse ekonomike për sektorin privat; koordinim dhe konsultim më të strukturuar të Qeverisë së Kosovës me komunat në lidhje me masat mbrojtëse dhe parandaluese qe do të merren në të ardhmen; komunat të aktivizojnë dhe funksionalizojnë Këshillat Lokale për komunikim më të mirë me qytetarët; komunat të kërkojnë ndihmë profesionale nga organizata e kompani të ndryshme rreth përballimit të gjendjes së pandemisë.

Të dhënat e këtij hulumtimi pasqyrojnë gjendjen deri më datën 24 prill 2020.