Komuna thërret për hetim ndaj sjelljeve të policëve që arrestuan Zybën

E publikuar: 29/08/2015 15:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Komuna e Prishtinës shpreh shqetësimin për, siç ka thënë, dhunën që e ushtruan dy policë civilë mbi punëtorin e Komunës së Prishtinës, Salih Zyba.

“Me pretekstin se një qytetar ka lajmëruar për hedhjen e një gjësendi në oborrin e Komunës së Prishtinës, dy policë civilë pa poseduar asnjë lloj urdhërese të organeve të prokurorisë dhe as edhe ndonjë dokument tjetër që do ta legjitimonte veprimin e tyre, kanë hyrë brenda Komunës. Sigurimi i komunës ka kërkuar t’i identifikojë dhe ta kërkojë arsyen e hyrjes së tyre në komunë. Duke mos pranuar t’i përgjigjen pyetjeve, civilët kanë filluar ta godasin punëtorin e Komunës së Prishtinës duke i shkaktuar lëndime serioze dhe në gjendje të tillë edhe e kanë arrestuar. Kjo sjellje e policisë është e dokumentuar edhe në xhirimet e Komunës së Prishtinës, mirëpo këtë gjë e konfirmojnë edhe dëshmitë e dëshmitarëve në vendin e ngjarjes, punëtorët e sigurimit të Komunës së Prishtinës”, thuhet në reagimin e Komunës së Prishtinës.

Komuna e Prishtinës i bën thirrje Inspektoratit të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë që menjëherë të fillojë hetimet lidhur me sjelljet e këtyre dy zyrtarëve policorë.
“Inspektorati i Policisë ka qasje edhe në thirrjet e qytetarëve dhe lehtësisht mund ta verifikojë nëse ka pasur ndonjë thirrje nga ndonjë qytetarë apo thjeshtë kanë ardhur aty me urdhër të ndonjë personi të caktuar”.

E LVV thotë se nëse nuk merren këto veprime nga ana e Inspektoratit Policisë së Kosovës, atëherë është e qartë se individë që veprojnë në kuadër të saj kanë filluar të veprojnë për interesa të ngushta e në kundërshtim me ligjet në fuqi.

“Komuna e Prishtinës informon opinionin se pas kësaj ngjarje, policia me urdhër të prokurorisë ka ardhur në Komunë të Prishtinës për t’i marrë incizimet e kërkuara nga prokurori në lidhje me incidente të tjera dhe asnjëherë nuk ka pasur asnjë problem”, thuhet në njoftimin e Komunës.