Komuna e Prishtinës zvogëlon buxhetin e kulturës për gati 1.5 milionë €

E publikuar: 01/10/2016 12:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Që kur ka ardhur në krye të Prishtinës, kryetari Shpend Ahmeti, buxheti i Drejtorisë së Kulturës është zvogëluar. Në vitin 2014, kur kishte ardhur në pushtet, kishte gjetur një buxhet të miratuar nga ekzekutivi paraprak në vlerë prej mbi 2 milion euro. Ndërkaq, buxheti për vitin 2017 në kulturë është planifikuar të jetë 550 mijë euro.

Tendenca për të bërë kulturë nga Komunën e Prishtinës për vitin e ardhshëm,  është e kthyer në përkrahjen e koncerteve dhe festave.

Buxheti për vitin 2017 është miratuar të enjten në Asamblenë e Prishtinës dhe Drejtoria e Kulturës ende mbetet më e diskriminuara, raporton lajmi.net.

Kulturës, administrata e Ahmetit do t’i qaset me gjashtë pika të planifikuara në vlerë prej 550 mijë euro.

Veçmas nga kjo shumë tek Planifikimi Strategjik, tek kategoria e Subvencione, subvencione dhe transfero për kulturën janë ndarë 260 mijë euro, shkruan lajmi.net.

Pikat buxhetore në këtë drejtori që janë planifikuar për investime për vitin e ardhshëm  janë: Furnizim me libra 50 mijë euro; Renovimi i objekteve kulturore dhe të trashëgimisë kulturore 200 mijë euro; Organizime dhe manifestime kulturore dhe sportive 150 mijë euro; Dekorimi i qytetit për festa, 50 mijë euro; Artë në hapësira publike, 50 mijë euro; Projektimi për investime kapitale 50 mijë euro.

Drejtori i Kulturës para pak muajve është emëruar Besart Vllahinja në kuadër të koalicionit qeverisës edhe me AKR-në. Drejtor i parë në këtë drejtori në udhëheqjen e Ahmetit ka qenë Blerta Zeqiri, e pas saj Saranda Bugujevci, raporton lajmi.net

Në këtë vit, për drejtorinë e Kulturës buxheti  ka qenë 670 mijë euro, veçmas nga kjo shumë subvencione kanë qenë 260 mijë euro.  Në këtë vit ka qenë i paraparë edhe ndërtimi i Sallës Koncertale në bashkëfinancim me Ministrinë e Kulturës.

Ne vitin 2015, buxheti për Drejtorinë e Kulturës ka qenë 1 milion e 50 euro. Veçmas nga kjo shumë  subvencione në kulturë, 260 mijë euro. Si pozicion i bartur nga një vit më herët, ka qenë i paraparë ndërtimi i Tetarit të qytetit në vlerë prej 200 mijë euro.

Kur ka ardhur në krye të Komunës, Ahmeti e ka pasur buxhetin e miratuar nga ish kryetari Isa Mustafa. Në 2014, buxheti për Kulturë, Rini dhe Sport ka qenë në vlerë prej 2 milion e 735 mijë eurove. Veçmas subvencione kanë qenë 350 mijë euro. Në këtë buxhet ishte paraparë ndërtimi i teatrit të qytetit, 200 mijë euro, Salla universale kulturore dhe galeria e qytetit, me një buxhet prej 385 mijë euro, etj.

Premtimi i Ahmetit për artin dhe kulturën në fushatë

Gjatë fushatës zgjedhore, kryetari Ahmeti ishte zotuar se Kultura do të jetë prioritet i kabinetit të tij. Në një rast kishte thënë se arti dhe kultura në Komunën e Prishtinës është reduktuar vetëm në disa koncerte të festave të pavarësisë të shteteve të ndryshme, duke theksuar faktin se komuna nuk po tregon interesim të duhur për artin dhe kulturën e mirëfilltë në Prishtinë. “Vetëvendosje artin dhe kulturën e konsideron si pjesë të pandashme të Komunës së Prishtinës dhe si e tillë kjo lëvizje synon qasje të lehtë dhe të barabartë në përvojat artistike për qytetarët”, pati thënë nder të tjera Ahmeti.

Ai kishte premtuar se  artin dhe kulturën do ta bazojë në gjashtë shtylla kryesore:

Zhvillimi i bibliotekave ekzistuese dhe hapja e bibliotekave te reja,

Restaurimi dhe promovimi i objekteve të trashëgimisë kulturore, historike dhe arkeologjike,
Shtrirje e decentralizuar e qendrave multimediale në çdo lagje dhe fshatra,
Regjistrimi, mbështetja dhe promovimi i artistëve
Zhvillimi teatror lokal;
Zhvillimi kinematografik në nivelin lokal