Komuna e Prishtinës mundëson hapjen e 220 vendeve të reja të punës

E publikuar: 20/05/2015 15:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sot, kryetari i Komunës së Prishtinës, z. Shpend Ahmeti, në një konferencë për shtyp, bashkë me drejtorin e IQ – to – Link, z. Jens Reichenbach dhe drejtorin e Ndërmarrjes Publike Banesore, z. Nexhat Kryeziu, zyrtarizoi marrëveshjen për hapjen e rreth 220 vendeve të reja të punës në Komunën e Prishtinës, duke filluar nga muaji shtator.

z. Ahmeti tha se ky projekt ka të bëjë me një qendër të thirrjeve për kompaninë e njohur ndërkombëtare Deutsche Post DHL group.
“Pas disa muajsh negociatash që i kemi pasur me kompaninë, kemi arritur marrëveshje që përmes Ndërmarrjes Publike Banesore t’i ofrojmë të gjitha kushtet që kjo kompani t’i hap këto vende të punës në Prishtinë, e jo në ndonjë vend tjetër të regjionit. E para që dua të them është që nga viti i kaluar ne e kemi shpallur si synim tonin strategjik që Prishtina të bëhet qendër regjionale e shërbimeve “out-source” (Buisness Process Outsourcing) që ka të bëjë me faktin që një numër i madh i vendeve të punës në Evropën juglindore, është marrë nga shtetet si Bullgaria e Rumania, me ç’rast këto kompani në këto shtete ofrojnë shërbime për kompanitë në Gjermani dhe Zvicër të cilat janë shërbime të qendrës së thirrjeve, edhe të shërbimeve të tjera biznesore deri tek kontabiliteti, financat, etj. E kemi parë mundësinë që së shpejti në Prishtinë, duke tentuar që ta bëjmë këtë qendër regjionale, të krijojmë edhe qendrën e shërbimeve të tilla, me ç’rast Komuna e Prishtinës do të ofronte hapësirë me çmim shumë më të favorshëm për këto kompani, do të ofronte infrastrukturën si dhe do të mundësonte kurse intensive të gjuhëve dhe kurse të tjera që do ta lehtësonin punësimin e njerëzve të rinj që njohin gjuhë të huaja.

I pari i Komunës së Prishtinës tha se para se të hapet kjo qendër, tashmë kanë arritur edhe kërkesat e para, njëra prej të cilave është kjo e IQ – to – Link, e cila në fillim do të hap qendrën e vet për hapjen e rreth 220 vendeve të reja të punës, ndërsa e më pas planifikohen edhe shërbime të tjera dhe pritet që brenda dy viteve kjo kompani do të jetë në gjendje të ofrojë edhe disa qindra vende të reja të punës për njerëz të rinj.

Drejtori i IQ – to – Link, z. Jens Reichenbach tha se ka vendosur që të vjen më Prishtinës për arsye se ka parë mundësi shumë të mira të veprimit.
“Ka një kërkesë të madhe lidhur me çështjet të cilat ne i bëjmë. Si parametër kryesorë është që në këtë regjion ka shumë talentë të cilët njohin shumë mirë gjuhë të ndryshme të botës. Me kryetarin Shpend Ahmeti kam hasur në një mirëkuptim shumë të mirë dhe një bashkëpunim të përkryer me qëllim të implemtimit të projekteve të cilat kemi planifikuar t’i investojmë këtu. Ne fillimisht e kemi në plan t’i punësojmë 200 bashkëpunëtorë, të cilët njohin shumë gjuhë të botës dhe që do të kenë thirrje serioze, të njëjta të cilat bëhen edhe në Gjermani apo shtete të tjera evropiane. Qëllimi im kryesor është që të jem një punëdhënës i mirë dhe i suksesshëm për punëtorët që do të punësohen këtu dhe do të tentojë që të jem shembull se si një ndërmarrje, një implementim i një projekti në këtë vend, është i suksesshëm dhe është i mundshëm”, tha Reichenbach.

Ndërsa, drejtori i Ndërmarrjes Publike Banesore, Nexhat Kryeziu tha se si ndërmarrje e përkrahin këtë iniciativë të kryetarit Ahmeti dhe në vazhdimësi do të përkrahin projekte të ngjashme që kanë për qëllim zhvillimin ekonomik të vendit përmes hapjes së vendeve të reja të punës.

Në fund të kësaj konference, kryetari Shpend Ahmeti theksoi se në mbledhjet e ardhshme të Kuvendit Komunal do të vendosen edhe disa prona të tjera në shfrytëzim me qëllim të investimeve në fabrika në zonat rurale, por edhe me qëllim që tërë potencialin që ka Komuna e Prishtinës ta vë në shërbim te zhvillimit ekonomik të qytetit. Gjithashtu, ai njëkohësisht njoftoi se brenda disa javësh do të zyrtarizohet edhe një bashkëpunimin me një tjetër Organizatë Joqeveritare gjermane për grante dhe përkrahje të bizneseve të vogla.