Komuna e Prishtinës e hedh fajin diku tjetër për gropat

E publikuar: 07/04/2015 14:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Komuna e Prishtinës ia hedh fajin Organit Shqyrtues të Prokuorimit dhe Komisionit Rregullativ të Prokurimit për mos mbylljen e gropave në kryeqytet.

Drejtori i Infrastrukturës në Prishtinë, Hysen Durmishi, i ka quajtur këto dy institucione si të politizuara, duke folur për gropat e Prishtinës.

Ai ka thënë se qytetarët e Prishtinës po përballen me disa probleme për të cilat deri më tani nuk ka pasur mundësi që të ketë zgjidhje.

Në një konferencë për media, Durmishi ka thënë se gropat në qytetin e Prishtinës do të mbylleshin, nëse KRPP-ja të mos politizohej.

Problem për këtë, sipas Durmishit, ka paraqitur një kompani nga Gjilani, El Bau, e cila ishte e pesta në radhë nga gjashtë sa kishin konkurruar gjithsej, raporton Indeksonline.

“Më datë 9 mars të këtij viti është dashur që të përfundojë procedura e ankesave dhe të nënshkruhet kontrata e re me kompaninë që do të përfundonte rregullimin e gropave në Prishtinë. Por, në minutat e fundit kompania nga Gjilani, ElBau, u ankua në KRPP. Kjo e fundit e ka dërguar rastin në OSHP dhe OSHP-ja nuk ka dalë ende me një përgjigje”, ka thënë Durmishi.

Sipas Durmishit, OSHP-ja e ka vonuar përgjigjen për shkaqe politike dhe qytetarët kanë shumë të drejtë për shqetësimin e tyre.

“OSHP-ja ka një muaj që nuk ka kthyer përgjigje, përkundër asaj që edhe ata kalojnë çdo ditë nga këto rrugë me gropa. Qytetarët e Prishtinës nuk kanë nevojë për këto gropa, ata kanë të drejtë dhe nuk mund të presin më”, ka thënë drejtori i infrastrukturës në Prishtinë.

Zgjidhje për këtë çështje do të ketë në javët në vazhdim, ku sipas Durmishit, do të bisedohet me kompanitë tjera nëse do të mund të bashkëpunonin vullnetarisht për sanimin e gropave në qendër të Kryeqytetit.

“Nuk e di se me çfarë përgjigje do të dalë OSHP-ja, por javën tjetër do të bisedohet me kompani të cilat kanë konkurruar për t`iu kërkuar që të bashkëpunojnë vullnetarisht për sanimin e gropave të paktën në qendër të kryeqytetit, së paku deri sa OSHP-ja të jep një përgjigje”, është shprehur Hysen Durmishi./Indeksonline/