Komuna e Pejës është komuna me më së shumti raste të reja me koronavirus sot

E publikuar: 24/06/2020 23:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Drejtori i Shëndetësisë në Pejë, Petrit Loci, ka thënë se rezultatet e ditës së sotme nuk janë mostra të marra sot, por të marra para 5 ose 6 dite.

“Këto testime janë bërë para 5 dite apo 6 dite, dhe janë publikuar sonte, kjo është papërgjegjësi nga IKSHPK, sepse po ngjallë panikë, për ne kjo është e papranueshme si institucion.”, ka thënë Loci.

Ai më tutje është shprehur se kjo papërgjegjësi nga IKSHPK-ja është e papranueshmë për shkak të panikut që po ngjallë tek qytetarët.

“Nuk bëhet fjalë për rezultatet e sotme, janë rezultate të mostrave që janë marrur para 5 ose 6 dite më parë. Llogariteni si janë ndjerë personat që u janë marr mostrat para 5 dite e deri sot, të cilët kanë pritur me ankth rezultatin”, është shprehur Loci në Dukagjin.

Nga 95 rastet e reja me koronavirus sot në Kosovë, 18 prej tyre janë nga Komuna e Pejës.

Sipas Locit, rastet e fundit janë raste kontakti dhe të infektuar pas lehtësimit të masave.

Deri më tani, në Komunën e Pejës janë regjistruar 144 raste me COVID-19.

Numri i përgjithshëm i të infektuarve me koronavirus është 2 mijë e 363 raste ku 1 mijë e 171 prej tyre janë shëruar derisa 40 raste kanë përfunduar me vdekje, që të gjithë me sëmundje shoqëruese./