Komplikohet situata për rrëzimin e Qeverisë

E publikuar: 21/12/2018 09:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas shumë vështirësive, në shtator të vitit të kaluar Qeveria aktuale e Kosovës kishte arritur të zgjidhej me shumicë minimale të votave, 61 sosh. Tash kur kanë kaluar rreth 15 muaj prejse kryeministri Ramush Haradinaj kishte marrë timonin e Qeverisë së tanishme opozita nuk po arrin t’i bëjë votat e mjaftueshme për t’i dhënë fund kësaj qeverie. Përkundrazi, rruga për ta arritur këtë synim tashmë është vështirësuar. Kështu deklarojnë zyrtarë të LDK-së, parti kjo e cila qysh para një viti pati nisur të paralajmëronte mocion për rrëzimin e Qeverisë. Sipas tyre, veprimet e fundit të PSD-së, e cila tashmë i është bashkuar koalicionit qeverisës në delegacionin për dialog, ka çuar deri te komplikimi i situatës për ta rrëzuar qeverinë “Haradinaj”, shkruan sot Gazeta Zëri.

Mirëpo përfaqësues të PSD-së thonë se ky subjekt ka ofruar nënshkrimet e deputetëve të saj për ngritjen e mocionit, porse LDK-ja, siç shprehen ata, nuk kanë bërë kurrfarë përpjekjeje për ta konkretizuar një gjë të tillë.

Rrjedhimisht dy partitë më të mëdha opozitare, LDK-ja e LVV-ja, tashmë kanë mbetur pa ndonjë plan konkret që do ta funksionalizonte mocionin për rrëzim të Qeverisë.

Deputetët e LVV-së vlerësojnë se plani i vetëm për të çuar deri në rënien e Qeverisë mbetet bashkëpunimi me disa deputetë të partive të koalicionit qeverisës.