Kompanitë e kontraktuara nga komuna rregullojnë shtëpinë e Agim Bahtirit (Foto)

E publikuar: 02/03/2016 12:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Skandali me ndriçimin publik në Mitrovicë, për të cilin kryetarit të Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, i është ngritur aktakuzë të martën, nuk duket të jetë i vetmi.

I pari i Mitrovicës ka shfrytëzuar mjaft mirë edhe kompanitë tjera të kontraktuara nga komuna për të meremetuar shtëpinë e tij dhe mirëmbajtur kopshtin.

Gazeta Fjala, ka siguruar dëshmi se si kompania “Ambienti-G” e cila ka fituar tenderin për mirëmbajtjen e sipërfaqeve të gjelbëruara në Komunën e Mitrovicës, gjelbëron oborrin e Agim Bahtirit.

Në fotografi të realizuara vitin e kaluar shihen punëtorët e kësaj kompanie derisa mbjellin lule në ambientin e renovuar të shtëpisë së Bahtirit.

Këtë e ka pranuar edhe pronari i “Ambienti-G”,  Gani Mlinaku për Gazetën Fjala.

3 watermark

“Ne jemi kompani private dhe në shtëpinë e Agim Bahtirit, merrem me kositjen e barit. Unë kam kontratë me komunë përmes së cilës e mirëmbajë qytetin. Privat kushdo që më thirre unë shkoj rregulloj kopshtet, kositi barin, bëjë krositjen. Që nga viti 2002 e punësoj punën e mirëmbajtjes së qytetit”, ka thënë Mlinaku.

Ai thotë se për punën që bënë, në bazë të marrëveshjes me Bahtirin paguhet jashtë kontratës që ka me Komunën e Mitrovicës.

“0.8 cent e kemi për mirëmbajtje të metrit katror. Zoti Bahtiri kur ka nevojë për punën ton na thërret dhe ne shkojmë ja mirëmbajmë oborrin. Përmes bankës ai na i deponon mjetet”, thotë Mlinaku, I cili nuk jep detaje për pagesat.

5 watermark

Gazeta Fjala ka mësuar se deri më tani për punën që ai ka bërë në gjelbërimin e hapësirës ku banon Bahtiri është kompensuar vetëm 120 euro.

Ndërkaq, e njëjta kompani  për vitet 2014 dhe 2015 është kontraktuar për mirëmbajtjen  e sipërfaqeve te gjelbëruara, nga kryetari Agim Bahtiri me kontratë kornizë në vlerë deri në 100 mijë euro, nga 50 mijë euro për secilin vit.

Në bazë të dokumentacionit të publikuar në KRPP, vlera për njësi e këtij tenderi për vitin 2015 është 112 euro, ndërsa për vitin 2014 ishte 818 euro.

Këto janë kompanitë që punuan në Shtëpinë e Agim Bahtirit

“Ambienti –G” nuk është kompania e vetme që ka fituar tender publik e që ka kryer punë edhe në shtëpinë e Agim Bahtirit për ndërtimin e pishinës, rregullimin e dyerve dhe dritareve, e shtruarjen e kabëzave të betonit.

Gazeta Fjala, mëson se për këto punë janë angazhuar edhe kompanitë “Tropic Park”, “Burimi sh.p.k”, “12 Vëllezërit” dhe disa kompani tjera.

Falë angazhimit të tyre, tani shtëpia e Bahtirit, duket mjaftë luksoze, e rregulluar me shumë kujdes krahas shtëpive në lagjen përreth.

Në fotografi shihet se i pari  Mitrovicës ka hapur edhe pishinën personale ku mund të çlodhet pas punës.

7 watermark

Gazeta Fjala ka kontaktuar me kryetarin Agim Bahtiri për të marrë sqarime lidhur me këtë çështje, por ai nuk ka qenë i gatshëm të jap përgjigje.

“Mos më shqetësoni”, ka qenë deklarata e vetme e tij për medie.

Derisa ai ka refuzuar të flas për angazhimin e të njëjtave kompani të cilave u është besuar tenderi publik edhe në punët e shtëpisë një ditë më parë duke folur për aktakuzën që i është ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës, ka dhënë një premtim shqetësues.

Kërcënimi i Bahtirit

Ai ka mohuar në formë të prerë madje ka thënë se do t’i jepte fund jetës nëse del që ka keqpërdorur paranë dhe pozitën publike.

“Nëse del që është keqpërdorur një cent nga ana ime unë do ta vras vetën”.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër Agim Bahtirit, një zyrtar prokurimi dhe një biznesmeni për veprat penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrëveshje për kufizimin e konkurrencës.

Prokuroria njofton se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se Bahtiri dhe zyrtari i prokurimit duke vepruar në cilësinë e personave zyrtar, kanë keqpërdorë detyrën zyrtare, duke i tejkaluar kompetencat e tyre ose duke mos i përmbushur detyrat e tyre zyrtare.

Po ashtu, njoftohet se biznesmeni Gazmend Kelmendi, në këtë rast, ka paraqitur ofertë bazuar në një marrëveshje të kundërligjshme, qëllimi i së cilës ishte që organizatori në rastin konkret Komuna e Mitrovicës, ta pranojë ofertën e tillë duke e kufizuar konkurrencën e lirë. Komuna e Mitrovicës, në janar të këtij viti, pati  nënshkruar kontratë me kompaninë Hesalight A/S, dega në Kosovë, në pronësi të Gazmend Kelmendit.

4 watermark

Ai pati premtuar se do të shpërblej  me 5 mijë euro ata që do të mund të argumentonin vetëm një rast të këtyre dukurive, në komunën e Mitrovicës, megjithatë ende nuk e ka mbajtur këtë premtim pavarësisht shumë rasteve të konfirmuara./Gazeta Fjala

1 - watermark

/Gazetafjala/